Protesta- Rama replikë në rrjete sociale me një protestues: Dhuna online dhe bullizimi i njerëzve në rrugë, helmim i hapësirës publike
Kryeministri Edi Rama ka replikuar në rrjetet sociale me një prej protestuesve që kundërshtojnë planin e investimeve në Zvërnec, në një debat të zhvilluar mbi transparencën, protestën qytetare dhe ndikimin e saj në imazhin dhe ekonominë e vendit.
Diskutimi në rrjetet sociale nisi pasi një protestues, në reagimin e tij, ka theksuar se arsyet e daljes në protestë lidhen me mungesën e besimit ndaj institucioneve dhe nevojën për llogaridhënie publike, duke argumentuar se ekzistenca e dokumenteve zyrtare nuk mjafton për të mbyllur diskutimin publik. “Transparenca, mosbesimi ndaj institucioneve dhe kërkesa për llogaridhënie janë arsyet pse qytetarët dalin në protestë. Nëse çdo dokument zyrtar do të mjaftonte për të mbyllur debatin publik, atëherë protestat nuk do të kishin ekzistuar kurrë në asnjë demokraci funksionale”, u shpreh ai.
Në reagimin e tij, kryeministri theksoi se e vlerëson mendimin ndryshe dhe faktin që protestuesi nuk përdor gjuhë fyese apo akuza personale, por ka shtuar se protesta, sipas tij, nuk duhet të kalojë në forma që dëmtojnë jetën publike dhe interesin e përgjithshëm.
“Asnjëherë nuk e kam menduar se protestat duhet t’i pëlqejnë qeverisë. Qeveria nuk pretendon se ka ndjekur procedurat, qeveria i ka të gjitha faktet për këtë dhe transparenca është pikërisht rreshtimi i fakteve. Askush nuk kërkon po ashtu mbyllje të debatit publik, po dhuna online, bullizimi i njerëzve në rrugë, bllokimi i rrugës së aeroportit nuk janë debat publik, po mbytje e debatit publik, helmim i hapësirës publike dhe dhunim i lirisë së lëvizjes së publikut”, deklaroi Rama.
Ai theksoi gjithashtu se e drejta për të protestuar është e pakontestueshme, por sipas tij, përhapja e informacioneve të pavërteta dhe bllokimi i infrastrukturës publike dëmton jo vetëm imazhin e vendit, por edhe ekonominë dhe sezonin turistik.
“Të protestosh është legjitime dhe askush s’e ve në diskutim këtë. Por t’u bësh jehonë shpifjeve, gënjeshtrave, fabrikimeve si ato që tërhoqën vëmendjen e tërë botës që gjeti në Shqipëri shesh për përsheshet e veta politike, ideologjike apo deri edhe fetare, është goditje ndaj vendit padyshim! Dhe të bllokosh deri edhe rrugën e aeroportit është cënim i sezonit turistik dhe ekonomisë. Askush nuk i ka futur të gjithë protestuesit në një thes, po kjo protestë ka brenda mozaikut të saj nga të gjitha dhe “turmën e manipuluar” e thanë vetë protestuesit e zhgënjyer nga ikja pas berihait mbrëmë natën…”, shkruan Rama.
Kryeministri nënvizoi se pavarësisht shqetësimeve të ngritura, qeveria do të vazhdojë të dëgjojë dhe të nxjerrë mësime nga situata, duke shtuar se në fund të këtij procesi do të ketë përfitues institucionalë dhe politikë.
“Më vjen keq për shqetësimin por kjo është e vërteta, në fund dy përfitues realë do të ketë dhe e di pse? Pikërisht sepse kjo qeveri di të dëgjojë e të nxjerrë mësime, ndërsa Partia Socialiste ka me vete të vërteta të atilla, që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi i dinë shumë mirë. Në mbyllje, problemi nuk janë shpjegimet, problemi mbetet kur disa nuk duan t’i dëgjojnë shpjegimet dhe as duan të komunikojnë qetësisht (rasti yt është shumë i rrallë në lumin e harbimit digjital)”, ka shkruar Rama.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.