“Protestat vijnë sepse njerëzit jetojnë më mirë”! Rama për Euronews Serbia: Vuçiçi, partner i vështirë për të negociuar. “Ballkani i Hapur” u paragjykua
Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat në Shqipëri, bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet me Serbinë në një intervistë për Euronews Serbia, ku u shpreh se demonstratat janë pasojë e rritjes së pritshmërive të qytetarëve dhe jo thjesht e një pakënaqësie të momentit.
Duke folur për protestat, Rama tha se ato janë një tregues se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku qytetarët kërkojnë standarde gjithnjë e më të larta.
“Është shumë më tepër sesa një çështje konkrete. Është një sinjal se vendi ka kaluar në një nivel tjetër, se zhvillimi është bërë normal dhe se njerëzit nuk janë më të gatshëm të pranojnë atë që mungon”, u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, qytetarët janë bërë më pak tolerantë ndaj mangësive dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.
“Njerëzit duan më shumë dhe e duan menjëherë. Nuk mund t’i fajësojmë për këtë. Ky është çmimi që paguajmë për suksesin tonë. Kjo është një protestë e pritshmërive në rritje dhe ne duhet të përballemi me të”, tha ai.
Kreu i qeverisë argumentoi se përmirësimi i standardit të jetesës është një nga arsyet kryesore pse qytetarët protestojnë më shumë. Ai tha se ndryshimi i mentalitetit është i natyrshëm në një shoqëri që zhvillohet.
“Pavarësisht kritikave, arsyeja është se njerëzit jetojnë më mirë dhe për këtë kërkojnë edhe më shumë. Shoqëritë e varfra kanë një prag të lartë tolerance ndaj mungesave, ndërsa shoqëritë në zhvillim kanë pritshmëri shumë më të larta për atë që duhet të funksionojë. Njerëzit e varfër thonë: ‘Mund të jetë edhe më keq’. Ata që nuk janë më të varfër thonë: ‘Mund të jetë shumë më mirë’. Dhe kanë të drejtë. Problemi është të mos biem në recetat e gabuara, sepse atëherë situata mund të përkeqësohet”, u shpreh Rama.
Rama u ndal edhe te marrëdhëniet me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe nisma “Ballkani i Hapur”, duke pranuar se presidenti serb është një partner i vështirë në negociata.
“Vuçiçi është gjithmonë i vështirë për t’u negociuar”, tha Rama.
Duke komentuar nismën “Ballkani i Hapur”, ai u shpreh me ironi se projekti u paragjykua për shkak të figurave që e promovuan.
“Ishte një ide e tmerrshme vetëm për një arsye: sepse unë dhe Vuçiçi qëndronim pas saj. Po të ishin pesë emra të rinj, do të ishte konsideruar një ide e shkëlqyer. Kështu funksionojnë gjërat në Ballkan”, tha Rama.
Rama vlerësoi gjithashtu progresin e Malit të Zi në procesin e integrimit europian, duke e cilësuar transformimin e vendit si të jashtëzakonshëm.
“Mali i Zi ka bërë një transformim të admirueshëm. Ata kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm dhe meritojnë respekt”, tha ai.
Rama theksoi se, në kushtet aktuale gjeopolitike, marrëdhënia mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është reciproke.
“Sot Evropa ka nevojë për ne po aq sa ne kemi nevojë për Evropën”, përfundoi Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.