Rama flet nga Gjermania për protestën në Tiranë: Në atë Bulevard ku sot festojnë lirinë flamingot, janë vrarë njerëz
Nga Landi i Renanisë Veriore i Vestfalisë, në Republikën Federale të Gjermanisë, kryeministri Edi Rama foli edhe për protestën që po mbahet në Tiranë tashmë prej më shumë se një muaji.
Gjatë fjalës së tij në forumin europian të inovacionit dhe sipërmarrjes “Ruhr Summit”, Rama u shpreh se e konsideron një mesazh të rëndësishëm për qeverisjen e tij, e ndërsa shton se gjatë ditëve në protestë janë përfshirë aktorë dashakeqës që e kanë prishur tubimin.
“Shumë prej jush mund të keni dëgjuar për atë që u njoh si revolucioni i flamingove në vendin tim.
E konsideroj një mesazh të rëndësishëm për mua dhe qeverisjen time, po mundohem ta dëgjoj me shumë kujdes, jo duke numëruar njerëzit, por duke u përpjekur të kuptoj shqetësimet. Qeveria që resht së dëgjuari, resht së qeverisuri.
Ka pjesë të transformimit të Shqipërisë, sepse kemi jetuar në një kohë që protestat nuk lejoheshin dhe erdhëm në një periudhë kur protestat u bënë të rrezikshme. Në të njëjtin bulevard ku flamengot festojnë lirinë, kishim njerëz që u vranë… protestues që humbën jetët jo shumë kohë më parë.
Ajo që dua të them është që pas gjithë kësaj të mire erdhi e keqja, erdhi modeli i biznesit, protesta hyri në makinerinë e amplifikimit algoritmik dhe protesta u shndërrua në arenën e aktorëve dashakeq… Kjo është e shëmtuar, jo protesta, jo qytetarët, por shtrembërimi i realitetit dhe kjo nuk është një histori vetëm shqiptare.
Algoritmi nuk ka nevojë të shtypë përmes një policie sekrete apo duke rrahur njerëz në rrugë, apo duke mbajtur të burgosur politikë, por mbyt gjithçka tjetër përveç indinjatës. Kjo është ajo që shihni ju në Gjermani dhe ne në Europë”, u shpreh Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.