Rama shpërndan deklaratën e avokatit: Një hap konstruktiv, nuk kemi kohë të humbim me BE-në! Protesta duhet të dialogojë me qeverinë
Kryeministri Edi Rama reagoi mbrëmjen e kësaj të enjteje duke shpërndarë deklaratën e avokatit Dorian Matlija, i cili sqaroi se distancohet nga disa forma përfaqësimi dhe veprimi brenda protestës, por jo nga vetë kauza qytetare.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi qëndrimin e Matlijës si një “hap konstruktiv në drejtimin e duhur”, ndërsa theksoi se duhet të kuptohen dy çështje thelbësore.
Sipas kryeministrit, qeveria ka mandatin më të fortë popullor të 20 viteve të fundit dhe është e angazhuar në negociatat me Bashkimin Europian për anëtarësimin e Shqipërisë, proces që, sipas tij, nuk duhet të pengohet apo të humbasë fokusin.
Rama shtoi se momenti historik që po kalon vendi lidhet me integrimin europian, ndërsa çështje si mbrojtja e natyrës, Vjosë-Nartës, flamingove, transparenca, lufta kundër korrupsionit dhe kritikat ndaj pushtetit duhet të trajtohen përmes dialogut demokratik me qeverinë.
Nga ana tjetër, në deklaratën e tij, avokati Dorian Matlija theksoi se mbetet pjesë e protestës qytetare dhe se vijon të mbështesë kauzat për mbrojtjen e mjedisit, transparencën, luftën kundër korrupsionit dhe kundër kapjes së shtetit.
Megjithatë, ai u distancua nga, siç i cilësoi, “mikrofoni dhe përfaqësimi i vetëshpallur”, nga “fantazitë institucionale” dhe nga çdo akt dhune apo veprim që, sipas tij, i jep alibi pushtetit.
Matlija deklaroi se protesta nuk duhet të merret peng nga individë apo grupe që vetëshpallen përfaqësues të saj, ndërsa nënvizoi se mbrojtja ligjore e protestuesve nuk nënkupton domosdoshmërisht miratim të metodave apo qëndrimeve të tyre politike.
Në përfundim të reagimit, ai ritheksoi se nuk distancohet nga protesta, por vetëm nga ata që, sipas tij, po e dëmtojnë dhe po e largojnë nga kauza fillestare qytetare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.