“Ritëm alarmant”, Barack Obama dhe Kamala Harris i bashkohen idesë për rregullimin e Inteligjencës Artificiale
Ish-presidenti Barack Obama dhe ish-nënpresidentja Kamala Harris janë ndër zërat e fundit të profilit të lartë në Partinë Demokratike që kanë bërë thirrje për një rol më të madh të qeverisë në rregullimin e inteligjencës artificiale.
Në një deklaratë të hënën, Obama tha se qeveria amerikane duhet të hartojë propozime, ligje dhe rregullore konkrete për të adresuar shqetësimet lidhur me sigurinë, ndikimin e AI në vendet e punës dhe tek fëmijët, si dhe për të garantuar që përfitimet e teknologjisë të shpërndahen gjerësisht.
Sipas tij, inteligjenca artificiale nuk mund të “futet në një kuti”, por shoqëria mund të përcaktojë mënyrën se si ajo zhvillohet dhe përdoret, në vend që të presë pasojat e saj.
Debati për rregullimin e AI është intensifikuar ditët e fundit, ndërsa disa politikanë dhe drejtues të industrisë kanë kërkuar masa më të forta dhe një ngadalësim të zhvillimit të teknologjisë. Presidenti Donald Trump, ndërkohë, i ka cilësuar shqetësimet për inteligjencën artificiale si një “mashtrim” dhe pjesë të një “komploti të sëmurë”.
Obama u ka bërë gjithashtu thirrje demokratëve, përfshirë politikanët që po shqyrtojnë kandidimin për president në vitin 2028, që ta vendosin inteligjencën artificiale në qendër të agjendave të tyre.
Edhe Kamala Harris u shpreh të hënën në mbështetje të një ngadalësimi të zhvillimit të AI, në mënyrë që rregullimi të mund të ecë në të njëjtin ritëm me teknologjinë.
“Një ngadalësim është kritik për të siguruar që inteligjenca artificiale t’i shërbejë interesit publik”, deklaroi Harris, duke argumentuar se përparimi i AI po ndodh me ritëm alarmant.
Harris i bëri thirrje Kongresit të krijojë një agjenci federale për mbikëqyrjen e inteligjencës artificiale dhe kërkoi që administrata Trump të punojë për një traktat ndërkombëtar për rregullimin e teknologjisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.