“Rregullore nga xhepi”, “Rrugë pa krye”, përplasje mes Ballës dhe Bardhit në Kuvend
Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë nisi me debate mes mazhorancës dhe opozitës, e cila u rikthye në sallën plenare pas disa javësh mungesë. Përplasjet u përqendruan te rendi i ditës, procedurat parlamentare dhe shqyrtimi i nismave ligjore që lidhen me procesin e integrimit europian.
Në seancën e sotme ishin parashikuar shqyrtimi i raportit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, projektligji “Për shoqëritë europiane të bashkëpunimit”, si dhe disa projektrezoluta për institucionet e pavarura të drejtësisë dhe kontrollit.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi që projektligjet që lidhen me Kapitullin 17 të negociatave me Bashkimin Europian të shqyrtohen së bashku në seancën e 23 korrikut, për të zhvilluar një diskutim të plotë mbi paketën ligjore.
“Bazuar në Rregulloren e Kuvendit, duke qenë se ligji për shoqëritë europiane të bashkëpunimit është një ligj që ka të bëjë me detyrat dhe punën që po bën qeveria dhe grupi ynë negociator për Kapitullin 17, dhe meqenëse janë edhe disa projektligje të tjera që ndërlidhen me Kapitullin 17, propozoj që t’i bashkojmë të gjitha në një seancë”, deklaroi Balla.
Pas propozimit të Ballës, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi që në rendin e ditës të përfshiheshin edhe nismat ligjore të propozuara nga opozita.
Nga ana tjetër, Taulant Balla kundërshtoi mënyrën e interpretimit të Rregullores së Kuvendit për shpjegimin e votës, duke kërkuar që kjo praktikë të mos kthehet në një procedurë të përsëritur pas çdo votimi.
“Abuzimi me rregulloren mund të kthehet si një jetë normale parlamentare. Nuk ka shpjegim vote kur ka një votim për ndryshim të rendit të ditës. E kemi qartësuar në rregullore. Është nga rastet tipike kur sqarimi i votës bëhet para votimit. Në momentin që sqaron pse je kundër para votimit, çfarë do sqarosh pas votimit?”, tha Balla.
Ai shtoi se shpjegimi i votës parashikohet vetëm në raste të caktuara.
“Shpjegimi i votës bëhet vetëm në rastet e amendamenteve. Dhe këtu u bë sqarimi para votimit. Kjo historia që hyjmë në një rrugë pa krye që çdo deputet të votojë kundër e kam për merak që të mos kthehet në rrugë”, u shpreh Balla.
Bardhi akuzoi mazhorancën se po aplikon standarde të ndryshme për nismat e saj dhe ato të opozitës, duke kërkuar që projektligjet e deputetëve opozitarë të kalojnë për shqyrtim në komisione dhe më pas në seancë plenare.
“Zoti kryetar, nuk ka një rregullore që është miratuar nga ky Kuvend dhe një rregullore që e nxjerr Taulanti nga xhepi sa herë do. Rregullorja është e qartë. Thotë se deputeti ka të drejtën e sqarimit të votimit kundër deri në 2 minuta. Kur kërkohet të bëhet sqarimi për votën kundër, bëhet menjëherë pas votimit. Nuk do t’i marrim leje Taulantit”, tha Bardhi.
Ai vijoi duke kritikuar mënyrën e hartimit të kalendarit parlamentar.
“Të mos humbim kohë me rregulloret që i nxjerr Taulanti nga xhepi, por të vazhdojmë me rregulloren që ka votuar kjo seancë plenare. Zoti Balla ka propozuar ndryshime në Kodin Civil, zoti Vengu ka propozuar ndryshime në Kodin Detar. Shumë ditë pasi unë kam propozuar apo kolegia Ina Zhupa katër projektligje, në kalendarin që i propozohet Konferencës së Kryetarëve, iniciativat e mazhorancës i vendosni në datë dhe i fusni për shqyrtim në komisione. Iniciativat e opozitës i propozoni pa datë seance plenare dhe kemi 6-7 javë që duam të nisim diskutimin në komisione parlamentare”, u shpreh kreu i grupit të PD-së.
Bardhi shtoi se opozita mund të përballet me votë kundër nga mazhoranca, por jo me bllokim të të drejtës për të propozuar ligje.
“Votoni kundër, por mos i mohoni opozitës të drejtën për të propozuar iniciativa ligjore. Nuk jeni dakord për ta anuluar ligjin për investimet strategjike, mbajeni, por votoni kundër. Fusni në diskutim iniciativat e propozuara”, deklaroi Bardhi.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deklaroi se nismat e opozitës janë përfshirë në programin parlamentar dhe se ato mund të shqyrtohen nga komisionet.
“Të gjitha projektligjet që ju përmendët janë përfshirë në program dhe kalendar, që do të thotë që komisionet janë të lira, të lejuara për të filluar diskutimin. Në momentin që ju përfundoni diskutimin në komisione, i fusni në seancë plenare dhe kaq”, tha Peleshi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.