Selanik: në burg 37-vjeçari që rrahu gruan pas sherrit për transmetimin live në TikTok
Gjykata e Selanikut e dënoi me 2 vjet e 3 muaj burg për dhunë në familje dhe kërcënim, pa efekt pezullues të apelimit, ndonëse gruaja në gjyq ndryshoi dëshminë e saj
Në burg do të shkojë një 37-vjeçar në Selanik, i cili u shpall fajtor për rrahjen e bashkëshortes së tij, pas një sherri që dyshohet se shpërtheu me shkak një transmetim të drejtpërdrejtë në TikTok, siç njofton gazeta greke Efsyn.
Gjykata e Kundërvajtjeve me një gjyqtar e Selanikut, ku u gjykua çështja në flagrancë, i dha burrit një dënim të përgjithshëm burgimi prej 2 vjetësh e 3 muajsh për dëmtim trupor brenda familjes dhe kërcënim, pa i njohur asnjë rrethanë lehtësuese. Për më tepër, u vendos që apelimi të mos ketë efekt pezullues në ekzekutimin e dënimit, me pasojë që 37-vjeçari të marrë rrugën e burgut.
Sipas denoncimit fillestar të gruas në Polici, ngjarja ndodhi gjatë 24 orëve të mëparshme, kur, duke u kthyer në shtëpi, ajo e pa atë duke bërë transmetim live në platformën e njohur online, gjë që i shkaktoi xhelozi dhe pasoi një sherr. Ajo denoncoi se 37-vjeçari e goditi në kokë me një shishe birre dhe e kërcënoi, me pasojë që iu desh të shkonte në spital. Ajo tha, madje, se nuk ishte hera e parë që e denonconte për dhunë në familje.
Megjithatë, gjatë dëshmisë së saj në gjykatë, denoncuesja e ndryshoi versionin, duke pohuar se u dëmtua vetë, kur rrëshqiti në banjë. «Nuk dua që ai të bëjë transmetim live dhe xhelozova. U grindëm dhe kur shkova në banjë, nga nervat e mia, rrëshqita dhe rashë. Nuk është e vërtetë që më goditi», tha ajo.
Duke mohuar akuzat, 37-vjeçari u mbrojt se gruaja u dëmtua vetë. «Kur ajo hyri në banjë, dëgjova një “bam”. U tremba. Kuptova se diçka ndodhi. Ishte e rrëzuar kur hyra të shihja çfarë pati», tha ai, duke shtuar se e çoi vetë në spital.
Prokurorja e seancës propozoi shpalljen e tij fajtor, duke theksuar se denoncimi fillestar i gruas, fotografitë që përfshihen në dosje, por edhe denoncimet e mëparshme ndaj tij për ngjarje të ngjashme, flasin në favor të fajësisë së tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.