Sfidat e sigurisë në Europë, Hita merr pjesë në Hagë me drejtuesit e agjencive ligjzbatuese nga 59 shtete
Drejtuesit më të lartë të agjencive ligjzbatuese janë mbledhur në Hagë nga 59 shtete dhe përfaqësues të 15 organizatave ndërkombëtare, midis tyre dhe drejtuesi i Policisë së Shtetit Skënder Hita.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, konferenca e organizuar dhe koordinuar nga Europol, ku mori pjesë drejtori i përgjithshëm dëshmon angazhimin e Policisë së Shtetit për të qenë pjesë aktive e arkitekturës evropiane të sigurisë dhe për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë në Evropë.
Në konferencë, ku morën pjesë mbi 500 drejtues policie dhe delegatë, u vu theksi te nevoja për të unifikuar strategjitë dhe për të bashkërenduar forcat përballë kompleksitetit në rritje të kërcënimeve globale dhe kriminalitetit modern.
Gjatë punimeve u diskutua mbi parandalimin e radikalizimit dhe sfidat e reja të sigurisë, të cilat kërkojnë trajtim të integruar dhe të bashkërenduar. U theksua roli i strukturave të sigurisë si barrierë e rëndësishme ndaj lëvizjes së kontingjentit kriminal dhe goditjes së krimeve ndërkufitare.
Në këtë kuadër u theksua domosdoshmëria e forcimit të bashkëpunimit ndërsektorial mes policisë, sektorit financiar dhe platformave teknologjike, me qëllim parandalimin dhe goditjen e mashtrimeve online.
Policia e Shtetit shpjegon më tej se punimet e konferencës, të zhvilluara nga 28 deri më 30 shtator, u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit dhe veprimit të përbashkët ndërkufitar përballë kërcënimeve të reja të sigurisë.
Për Policinë e Shtetit shqiptar, pjesëmarrja e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë konferencë me impakt të lartë ndërkombëtar përbën një mundësi të rëndësishme për të intensifikuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të rritur kapacitetet e analizës strategjike, në funksion të luftës kundër krimit dhe garantimit të një mjedisi më të sigurt për qytetarët.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.