SHBA – Ish-diplomati amerikan Daniel Serwer kritikon aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
– Profesori amerikan, diplomati dhe studiuesi i çështjeve të konflikteve dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dhe Ballkanit, Daniel Serwer, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një opinion të publikuar në faqen e tij Peacefare.net, Serwer e ka cilësuar aktgjykimin si të padrejtë dhe ka kritikuar edhe vetë institucionin gjyqësor që e ka dhënë atë.
Reagimi i tij vjen pasi Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për akuza për krime lufte.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet.
Katër të pandehurit u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Duke komentuar vendimin dhe pasojat e tij të mundshme në Kosovë, Serwer tha se shumë shqiptarë mund ta konsiderojnë aktgjykimin të padrejtë dhe mund të reagojnë me protesta, por bëri thirrje që ato të jenë paqësore.
“Pyetja më e menjëhershme është se çfarë ndodh në Kosovë. Shumë shqiptarë atje do ta konsiderojnë rezultatin të padrejtë. Ata do të protestojnë me zemërim, por shpresoj në mënyrë paqësore. Dhuna nuk do të sjellë asgjë”, shkroi ai.
Serwer tha gjithashtu se vendimi mund të shkaktojë reagime të ndryshme edhe te komuniteti serb në Kosovë, duke theksuar se edhe në këtë rast dhuna nuk do të sillte zgjidhje.
Më tej, profesori amerikan kritikoi ashpër qasjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve evropiane ndaj UÇK-së dhe drejtësisë ndërkombëtare.
“Amerikanët dhe evropianët duhet të ndihen të turpëruar. Ata e kanë kriminalizuar një lëvizje çlirimtare, që e mbështetën dhe e kanë reduktuar drejtësinë ndërkombëtare në hakmarrje politike”, shkroi Serwer.
Ai shtoi se, sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te aktgjykimi, por edhe te vetë gjykata.
“Nuk është vetëm aktgjykimi ai që është i padrejtë. Është edhe gjykata”, shkroi ai.
Serwer përmendi gjithashtu rastin e Hashim Thaçit, duke argumentuar se ai nuk kishte rol komandues mbi forcat e UÇK-së që akuzohen për kryerjen e krimeve.
Sipas tij, Thaçi e kishte përshkruar rolin e tij gjatë luftës, si atë të një zëdhënësi politik të UÇK-së dhe jo si një luftëtar apo komandant.
Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.