Shqipëria e para në Ballkanin Perëndimor për performancën mjedisore”, Rama: Detyrimi ynë, ta bëjmë vendin më të mirë
Environmental Performance Index 2026 ka renditur Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor dhe në vendin e 46-të në botë, nga 177 vende, për performancën mjedisore. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale e ka cilësuar këtë vlerësim si një tregues të progresit të bërë nga vendi në fushën e mbrojtjes së mjedisit gjatë dekadës së fundit.
“Për javë të tëra u krijua përshtypja se Shqipëria ishte kthyer në armiken e natyrës së vet. U thanë shumë gjëra, u shkruan edhe më shumë, u ndanë miliona imazhe, akuza, gjykime dhe bindje të cekëta. Dhe për një çast u duk se zhurma triumfoi mbi realitetin. Por realiteti flet. Environmental Performance Index 2026, indeksi më prestigjioz global për performancën mjedisore, sapo e ka renditur Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor, të 46-ën nga 177 vende në botë, me progresin më të madh në rajon gjatë 10 viteve të fundit. Ndërsa për zbutjen e ndryshimeve klimatike Shqipëria renditet e 21-ta në botë.”
Rama u ndal edhe te ndryshimi i situatës mjedisore në vend, duke përmendur problemet e së kaluarës me prerjet e pyjeve, ndotjen e lumenjve dhe mungesën e kapaciteteve shtetërore për mbrojtjen e natyrës.
“Mua më shumë më gëzon fakti se kjo renditje tregon rrugën që ne kemi bërë. Nuk kanë kaluar shumë vite që Shqipëria ishte vendi i prerjeve barbare të pyjeve, i gjuetisë së egër, i lumenjve të kthyer në vendgrumbullime mbetjesh dhe i një shteti që shpesh nuk kishte as mundësi, as instrumente, as kulturën për të mbrojtur natyrën.”, tha Rama.
Kreu i qeverisë vlerësoi edhe rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare për çështjet mjedisore, duke përmendur protestat e qytetarëve për mbrojtjen e zonave natyrore.
“Prania e aq shumë njerëzve që shqetësohen për flamingot, për lagunat, për pyjet apo për biodiversitetin tregon se bashkë me Shqipërinë që ka ndryshuar, edhe shoqëria shqiptare ka ndryshuar. Kjo është një fitore qytetërimi.”, tha ai.
Rama u shpreh se kritikat dhe shqetësimet për mjedisin duhet të shërbejnë si një mundësi për reflektim.
“Kush qeveris nuk mund të pretendojë se ka gjithmonë të drejtë. Edhe ne kemi gabuar, edhe ne kemi shumë për të mësuar, edhe ne kemi ende shumë për të përmirësuar. Ky raport nuk është një medalje për t’ua përplasur në fytyrë atyre që mendojnë ndryshe nga unë, por një përgjegjësi shumë e madhe.”, theksoi kreu i qeverisë
Në përfundim të mesazhit të tij, kryeministri theksoi se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit duhet të ecin sipas tij paralelisht, duke e lidhur këtë edhe me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Shqipëria europiane nuk ndërtohet as duke zgjedhur mes ekonomisë dhe mjedisit dhe as duke zgjedhur mes zhurmës dhe fakteve. Ajo ndërtohet duke i bërë të ecin së bashku ekonomia, mjedisi dhe faktet.”
Rama e mbylli mesazhin duke thënë se vlerësimi ndërkombëtar është një arsye për krenari, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi për të vijuar punën në mbrojtjen e natyrës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.