Simiqi e paraqet zbatimin e ligjit si “dëbim të serbëve”, ndonëse aksioni në Ujman u parapri nga kërkesa për dëshmi pronësie
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, e ka cilësuar aksionin e institucioneve të Kosovës për rrënimin e objekteve pa leje pranë Liqenit të Ujmanit si vazhdim të “dëbimit të serbëve nga Kosova”, ndonëse procesi ishte pjesë e zbatimit të procedurave ligjore.
Në një intervistë për televizionin serb Pink, Simiq pretendoi se rrënimi i objekteve dëshmon se kryeministri Albin Kurti po vazhdon, sipas tij, “progonin e serbëve”, duke e paraqitur aksionin administrativ si një veprim me prapavijë etnike.
“Rrënimi i djeshëm i objekteve serbe në Gazivodë tregon se Albin Kurti po vazhdon dëbimin e serbëve nga Kosova sipas një recete të provuar”, deklaroi ai.
Simiq akuzoi gjithashtu bashkësinë ndërkombëtare se po hesht përballë, sipas tij, shkeljes së të drejtave të serbëve.
Ai pretendoi se nuk ka ekzistuar procedurë ligjore për rrënimin e objekteve dhe se pronarët kishin dorëzuar kërkesa në gjykatë për përcaktimin e statusit pronësor.
Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, e cila administron zonën e Liqenit të Ujmanit, u ka drejtuar një kërkesë zyrtare banorëve të zonës kadastrale, duke u lënë afat shtatëditor për të dorëzuar dokumentacionin që dëshmonte pronësinë mbi tokat dhe objektet e tyre.
Sipas njoftimit, qëllimi ishte verifikimi i statusit juridik të pronave dhe evidentimi i objekteve të ndërtuara në territorin që administrohet nga ndërmarrja.
Vetëm pas përfundimit të këtij procesi institucionet ndërmorën veprimet për largimin e objekteve që konsiderohen të ndërtuara pa bazë ligjore.
Pavarësisht kësaj procedure, Simiq e interpretoi aksionin si pjesë të një politike të synuar kundër serbëve.
“Qëllimi i tij është dëbimi i serbëve. Ai është i gatshëm të shkojë deri në fund”, deklaroi ai, duke shtuar se “qëllimi është që Serbia, me çdo kusht, të tërhiqet në një konflikt”.
Ai pretendoi gjithashtu se “Kurti i trajton serbët si pengje” dhe se incidentet ndaj serbëve “nuk janë të rastësishme, por pjesë e një plani më të gjerë”.
Megjithatë, rrënimi i ndërtimeve pa leje nuk është praktikë e re në Kosovë dhe nuk është zbatuar vetëm në veri të vendit.
Institucionet kanë ndërmarrë aksione të ngjashme edhe në zona të tjera, përfshirë Batllavën, Prevallën, Rugovën, Sibovcin dhe rajone të tjera me interes të veçantë, ku janë larguar ose ndaluar ndërtime pa leje, pavarësisht përkatësisë etnike të pronarëve.
Në rastin e Ujmanit, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se bëhet fjalë për zbatim të legjislacionit në fuqi dhe mbrojtje të një zone me rëndësi strategjike e ekologjike, ndërsa pretendimet se aksioni përbën “dëbim të serbëve” nuk mbështeten në natyrën administrative dhe ligjore të procesit./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.