Spahiu: Nëse nuk e sjell PET Scanin brenda 2027, jap dorëheqjen. Shteti po merr përgjegjësi për shërbimet jetike shëndetësore
“O e sjell PET Scan-in, o jap dorëheqjen!” Është ky premtimi i bërë nga foltorja e Kuvendit i Ministres së Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e cila ka vendosur edhe një afat konkret për realizimin e tij.
“Në janar fillon Instituti i Onkologjisë. Në fillim të vitit 2027, unë ose e sjell PET Scan-in, ose jap dorëheqjen”, deklaroi Spahiu.
Në fjalën e saj në interpelancën e thirrur nga PD-ja, ministrja Spahiu, ka folur për tre shërbime shëndetësore që, sipas saj, kanë qenë në qendër të debatit publik dhe politik: hemodializa, sterilizimi dhe kontrolli mjekësor bazë. “Për të kuptuar ku jemi sot, duhet të kuptojmë ku ishim dje”, u shpreh Spahiu, teksa solli në vëmendje zhvillimin e shërbimit të hemodializës ndër vite. Sipas ministres, në vitet 2000 hemodializa ishte një shërbim i kufizuar, ndërsa viti 2005 shënoi një kthesë, kur numri i pacientëve nisi të rritej me shpejtësi.
“Viti 2005 shënoi një kthesë, numri i pacientëve filloi të rritej me shpejtësi. U hap shërbimi i dializës, i pari në Spitalin Rajonal të Elbasanit”, tha ajo. Spahiu iu referua edhe situatës në vitin 2011, kur Shqipëria kishte arritur në 284 pacientë për milion banorë. “Por ishim larg shifrave të kërkuara ndërkombëtare”, deklaroi ministrja.
Ajo tha se në vitin 2012 shërbimi ofrohej në disa spitale rajonale, por sistemi vijonte të përballej me problematika teknike dhe infrastrukturore. Sipas saj, kapacitetet publike nuk mjaftonin dhe sektori privat mori përsipër një pjesë gjithnjë e më të madhe të shërbimit. Spahiu e cilësoi si problem të rëndësishëm edhe shtrirjen gjeografike të shërbimit.
“Deri në vitin 2016, pacientët e Vlorës duhet të udhëtonin tri herë në javë drejt Tiranës për seanca që zgjasnin katër orë”, tha ajo.
Ministrja theksoi rëndësinë e investimeve në kapacitetet publike dhe marrjen e drejtpërdrejtë të përgjegjësive nga shteti. “Sot është pyetje tjetër që duhet të na shqetësojë: a i kemi ndërtuar kapacitetet që shteti ta marrë këtë përgjegjësi? Përgjigjja për disa nga këto shërbime është po”, u shpreh Spahiu.
Sa i përket sterilizimit, ministrja deklaroi se shërbimi është nën drejtimin e OSHISH që prej muajit prill. Ndërsa për kontrollin mjekësor bazë, ajo tha se administrimi shtetëror ka nisur më 11 shtator.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.