SPORT – Zidane, zyrtarisht trajneri i ri i Francës: Sfida e madhe pas epokës Deschamps
PARIS, 28 korrik /ATSH-DPA/- Siç pritej, Zinedine Zidane është emëruar trajner i kombëtares franceze të futbollit për meshkuj, duke pasuar Didier Deschamps, njoftoi sot Federata Franceze e Futbollit (FFF).
Presidenti i FFF-së, Philippe Diallo, e cilësoi Zidane një legjendë të futbollit francez, gjatë një konference për shtyp dhe bëri të ditur se ai ka firmosur një kontratë deri në vitin 2030.
Zidane, 54 vjeç, ka fituar Kupën e Botës 1998 dhe Kampionatin Evropian 2000 si lojtar i kombëtares franceze, ekip i cili në atë kohë, drejtohej nga kapiteni Didier Deschamps.
Përvoja e tij si trajner është vetëm te klubi spanjoll “Real Madrid”, ku ka drejtuar ekipin në dy periudha, në vitet 2016-2018 dhe 2019-2021.
Gjatë këtyre viteve ai fitoi tre herë Ligën e Kampionëve dhe dy tituj të kampionatit spanjoll (La Liga).
“E kam thënë shumë herë, nuk ka asgjë më të madhe se kombëtarja franceze. Prandaj është një kënaqësi dhe një nder i madh të bëhem trajner i kësaj skuadre. Por, është gjithashtu një përgjegjësi e madhe”, tha Zidane në një deklaratë.
Ish-lojtari, tre herë i shpallur “Futbollisti më i mirë në Botë”, prej kohësh ishte kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Francës pas largimit të Deschamps, i cili u tërhoq pas 14 vitesh në krye të kombëtares.
Deschamps fitoi Kupën e Botës si trajner në vitin 2018, e çoi Francën në finalen e Botërorit 2022, ndërsa në turneun e fundit ekipi francez u rendit i katërti.
Ndeshjet e para të Zidane, si trajner i Francës, do të jenë katër sfida në Ligën e Kombeve kundër Turqisë, Italisë dhe Belgjikës (dy herë), nga 25 shtatori deri më 5 tetor. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.