Të mërkurën dhe të enjten, komedia brilante, “Sonte do darkojmë në shtrat” në Gjirokastër
Komedia “Sonte do darkojmë në shtrat”, po vijon me sukses rrugëtimin në skenat teatrore të vendit. Komedia është një prej veprave më të njohura të repertorit bashkëkohor, me ritëm të shpejtë, situata të papritura dhe dialog të mprehtë. Mbrëmjen e së mërkurës dhe të enjtes komedia brilante “Sonte do darkojmë në shtrat” me regji nga Kiço Londo do të shfaqet në skenën e teatrit “Zihni Sako” të qytetit të Gjirokastrës.
Shfaqja me regji nga Londo premton të mbajë gjallë vëmendjen e spektatorëve nga fillimi deri në fund, duke ndërthurur të qeshurën me reflektimin mbi marrëdhëniet njerëzore dhe jetën e përditshme. Komedia franceze e autorit Marc Camoletti vjen në skenë e teatrit “Zihni Sako”, si një performancë plot humor dhe mendime të thella, që pasqyron miqësinë, vetminë, pasionet dhe tensionet e fshehura të jetës, deri në një fund surprizues që nuk pritet. Komedia që është një prodhim i Teatrit Shëtitës “Çajupi” shfaqet këtë javë në skenën e Gjirokastrës, duke u bërë edhe pjesë e aktiviteteve artistike dhe kulturore këtë sezon.
Si regjisor, Kiço Londo njihet për aftësinë për të përshtatur tekste të ndryshme për publikun shqiptar, duke i dhënë atyre një frymë të re dhe një komunikim të drejtpërdrejtë me spektatorin, ku një nga punët e tij më të fundit është komedia “Sonte do darkojmë në shtrat”, vepër e autorit francez Marc Camoletti përkthyer nga Artur Lena, që më parë është shfaqur dhe në skena të tjera teatrore në vendin tonë.
Një nga shfaqjet e suksesshme të sezonit artistik
Komedia do të ngjitet për dy mbrëmje radhazi në skenën e Teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër, në datat 27 dhe 28 maj, por më herët ajo është shfaqur në skenat e Vlorës, Beratit, Elbasanit, Himarës, Fierit dhe Tiranës, ku është mirëpritur me salla të mbushura plot dhe reagime pozitive nga publiku.
Vepra interpretohet nga një kast aktorësh të njohur, mes të cilëve Cubi Metkaj, Erdit Asllanaj, Suela Prendi, Eno Basha, Greta Cani dhe Anxhelo Shkreli, të cilët sjellin në skenë një lojë dinamike, plot energji dhe situata komike që ndërthuren me ritëm të shpejtë dhe dialog të mprehtë. Keqkuptime, xhelozi dhe situata absurde krijojnë një zinxhir ngjarjesh komike në shfaqjen “Sonte do darkojmë në shtrat”, ku gjithçka del jashtë kontrollit dhe marrëdhëniet vihen në provë. Një burrë largon gruan për te nëna e saj dhe fton në shtëpi të dashurën që të festojë ditëlindjen e saj.
Pas një telefonate gabim, në shtëpi bëhen tre çifte, secili me qëllimet e veta të fshehta, tradhti, aventura apo prova për marrëdhënien. Plani i tyre “perfekt” fillon të prishet sapo gënjeshtrat dalin në sipërfaqe. Një surprizë e këndshme, interpretime të shkëlqyera, origjinale dhe moderne dhe një komedi, që nuk duhet humbur.
Vepra me regji nga Londo
Në Gjirokastër kjo komedi vjen si një tjetër projekt teatror i suksesshëm, që mban emrin e regjisorit të mirënjohur Kiço Londo, i cili dhe më parë ka vënë në skenë vepra të autorit Marc Camoletti, një dramaturg francez. Camoletti ka shkruar disa nga komeditë më të famshme bashkëkohore të skenës franceze dhe ndërkombëtare, ku përmendim dhe “Boeing-Boeing”, e cila është vënë në skenë në shumë vende të botës, por në skenën tonë u soll më parë nga regjisori Kiço Londo.
Ndërsa pas komedisë “Sonte do darkojmë në shtrat”, të tjera vepra në teatër do të vijnë nga regjisori i njohur Kiço Londo, i cili përmes punës së tij me Teatrin Shëtitës “Çajupi”, ka kontribuar në afrimin e teatrit me publikun në qytete të ndryshme të vendit.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.