TEL AVIV – Izraeli kërkon “kompensim” nga SHBA-ja pas marrëveshjes për F-35 me Arabinë Saudite
– Izraeli pritet t’i kërkojë SHBA-së sisteme armësh dhe kapacitete të avancuara ushtarake, pas vendimit të Uashingtonit për t’i shitur Arabisë Saudite 48 avionëve luftarakë F-35, sipas “Reuters”.
Kërkesa është raportuar fillimisht nga media izraelite “Walla”, e cila citon një zyrtar izraelit.
Sipas raportimit, autoritetet izraelite do ta paraqesin këtë kërkesë si një lloj “kompensimi” për marrëveshjen e mundshme SHBA-Arabi Saudite.
Ndër sistemet që Izraeli dëshiron të sigurojë janë municione për shkatërrimin e bunkerëve dhe sisteme që mund të veprojnë në struktura nëntokësore.
Raportimi përmend gjithashtu kërkesa për sisteme autonome sulmuese, mjete ajrore pa pilot dhe teknologji të avancuara.
Kërkesa lidhet me shqetësimin izraelit për ruajtjen e epërsisë së tij ushtarake cilësore në Lindjen e Mesme.
Një burim i cituar nga “Walla” tha se ushtria izraelite do të preferonte që asnjë vend tjetër i rajonit të mos pajisej me F-35.
Megjithatë, i njëjti burim theksoi se, edhe nëse marrëveshja SHBA-Saudite nënshkruhet së shpejti, avionët e parë nuk pritet t’i dorëzohen Arabisë Saudite para rreth pesë vitesh.
Më 17 shtator, Departamenti amerikan i Shtetit miratoi shitjen e mundshme të 48 avionëve F-35A Arabisë Saudite, në një paketë me vlerë rreth 24,3 miliardë dollarë.
Paketa përfshin edhe 49 motorë, pajisje komunikimi dhe luftimi elektronik, trajnime, pjesë këmbimi dhe mbështetje logjistike.
Megjithatë, kjo nuk është ende një shitje e përfunduar.
Njoftimi i Departamentit të Shtetit nis procesin e shqyrtimit në Kongresin amerikan, i cili ka një periudhë të përcaktuar për të shqyrtuar marrëveshjen.
Çështja është e ndjeshme për Izraelin, pasi ai është aktualisht i vetmi vend në Lindjen e Mesme që operon avionët F-35.
SHBA-ja, me ligj, duhet të sigurohet që shitjet e armëve amerikane vendeve të tjera të Lindjes së Mesme, të mos e dobësojnë epërsinë ushtarake të Izraelit në rajon.
Kjo do të thotë se Uashingtoni duhet të marrë parasysh nëse një marrëveshje e re armësh mund t’i japë një vendi tjetër avantazh të madh ushtarak ndaj Izraelit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.