UASHINGTON – SHBA-ja: Progres në negociatat Liban-Izrael, synohet zgjerimi i zonave pilot
UASHINGTON, 6 gusht /ATSH-DPA/- Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi sot se Libani dhe Izraeli kanë bërë progres në negociatat për zbatimin e marrëveshjes së sigurisë, pas bisedimeve teknike dhe në nivel ekspertësh të zhvilluara në Romë.
Sipas zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, palët janë shumë më pranë një marrëveshjeje për zgjerimin e të ashtuquajturave “zona pilot”, ku ushtria libaneze do të marrë kontrollin dhe do të çarmatosë militantët e Hezbollahut, ndërsa ushtria izraelite do të tërhiqet gradualisht nga këto zona.
Muajin e kaluar, u krijuan zonat e para pilot në tre qytete të Libanit jugor: Frun, Srifa dhe Sautar al-Gharbija.
Përfaqësuesit e Libanit dhe Izraelit u takuan në Romë nga e marta deri të enjten për të diskutuar zbatimin e mëtejshëm të marrëveshjes, e cila parashikon: tërheqjen e trupave izraelite nga Libani jugor dhe çarmatimin e Hezbollahut nga ushtria libaneze.
Marrëveshja është ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Hezbollahu nuk merr pjesë në negociata.
Bisedimet mes Libanit dhe Izraelit kanë nisur në mesin e prillit dhe përbëjnë negociatat e para të drejtpërdrejta politike, mes dy vendeve pas disa dekadash.
Megjithëse zyrtarisht vazhdojnë të jenë në gjendje lufte dhe nuk kanë marrëdhënie diplomatike, synimi i tyre është të forcojnë armëpushimin dhe të ulin tensionet në kufirin jugor të Libanit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.