Ulliri, zjarret dhe përmbytjet ‘ndezin’ debate në Kuvend, deputetët kërkojnë bilancin e dëmeve dhe laboratorë për ek
Edhe pse diskutimi duhet të bëhej rreth çështjes së ditës, për ri-anëtarësimin e Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit në organizatën COI, për deputetët e Kuvendit kjo kulturë bujqësore nuk është trajtuar me prioritet nga Ministria e Bujqësisë, as në kohë flakësh dhe as në kohë përmbytjesh.
“Sa pemë ulliri kemi humbur gjatë këtij viti? Dhe sa për pesë vitet e fundit? A ka ndonjë plan Ministria e Bujqësisë për të rikuperuar këto pemë?”, tha deputeti Erion Braçe.
“Për Braçen, cilat janë pemët që janë djegur këtë vit? Vlerësimet po bëhen në zonat ku kanë ndodhur zjarret, nga pushteti vendor”, tha zëvëndësministri i Bujqësisë, Fatmir Guri.
Por kjo përgjigje për deputetin Erion Braçe nuk tregoi sinqeritet.
“Unë pyeta sa pemë ulliri janë djegur këtë verë dhe përgjatë pesë viteve të fundit. Është korrekte të thoni: nuk e kemi këtë informacion?”, u shpreh Braçe.
Pas zjarreve, diskutimi u ndal te dëmshpërblimi i premtuar për përmbytjet e nëntorit, informon TCH.
“Kam kërkuar që në fillim të këtij viti dëmshpërblim për përmbytjet e nëntorit. Zero para! Ato prekën sera dhe ullinj. Zero para!”, tha Eno Bozdo.
“Me këtë merret pushteti vendor”, tha Fatmir Guri.
Sipas deputetëve të opozitës, Europa i qëndron larg vajit të ullirit shqiptar, pasi vendi ynë nuk ka kapacitete laboratorike për të dëshmuar cilësinë e produktit.
“Por ne nuk kemi laboratorë të akredituar. Vaji eksportohet me bidona kallçuku dhe më pas rietiketohet. Ka kërkesa të larta dhe kostot e analizave janë 200–400 euro. Shqipëria nuk ka një laborator të akredituar nga COI”, deklaroi Bozdo.
Ndërkohë që fermeri kërkon tregun dhe Europa kërkon dëshminë e cilësisë, ISUV, laboratori i vetëm i referencës, është në gjendje të analizojë vetëm katër tregues të vajit të ullirit, të cilët për BE-në nuk janë të mjaftueshme të faktuar cilësinë e produktit.
Edhe pse diskutimi nuk ndryshoi realitetin për fermerët e ullirit, në fund të mbledhjes së komisionit, ri-anëtarësimi i Shqipërisë në organizatën COI u votua unanimisht.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.