Vllaznia, fitore me përmbysje përballë Malishevës
Vllaznia e ka nisur me fitore rrugëtimin europian në Conference League duke mundur me përmbysje, 2-1 ekipin e Malishevës në ndeshjen e luajtur në “Loro Boriçi”, që erdhi për shikuesit në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar(RTSH1 dhe RTSH Sport)…
Sfida nisi mjaft e mirë për skuadrën e Malishevës që kaloi menjëherë në avantazh. Xhylani në minutën e 3-të shënoi një gol mjaft të bukur nga goditja e këndit. Me kalimin e minutave, kuqeblutë arritën të futen në lojë dhe barazuan rezultatin me Qaton në minutën e 37-të, 1-1, që mbylli dhe pjesën e parë.
Në pjesën e dytë skuadra e Malishevës humbi shërbimin e Skovgaard, i cili u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrja në dëm të Kubazi.
Musta ekzekutoi saktësisht goditjen e dënimit duke i dhënë avantazhin skuadrës kuqeblu. Në minutat në vazhdim rastet nuk munguan për të dyja skuadrat por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Vllaznia fiton me përmbysje, 2-1 përballë Malishevës.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 15 korrik, në orën 16:30, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku do të vendoset skuadra që do të avancojë në raundin e dytë të Conference League.
Vllaznia-Malisheva 2-1
Shënues: Qato 37′, Musta 56′, Musta 56′ / Xhylani 3’
90’ – Qato provon me një goditje nga distanca, por Avdyli është i kujdesshëm me ndërhyrjen e tij.
86’ – Halili i ka të gjitha mundësitë të shënojë për Vllazninë, por goditja e tij, mjaft e lehtë, është pritur pa problem nga Avdyli.
80’ – Një mundësi e humbur për Vllazninë, me Kubazi që godet në mënyrë të gabuar në një pozicion mjaft të favorshëm shënimi
75’ – Pusi shpëton Vllazninë nga pësimi i golit pas goditjes së Veliut.
72’ – Jukaj bën shpëtimtarin në dy raste, duke neutralizuar goditjet e lojtarëve të Malishevës.
63’ – Uka i ka të gjitha mundësitë për të barazuar rezultatin, por Jukaj, portieri i shkodranëve, bën mrekullinë me pritjen e tij.
62’ – Qato provon me një gjuajtje të fortë, por Avdyli tregohet i vëmendshëm duke e larguar topin në goditje këndi.
56’ – Gooool! Vllaznia kalon në avantazh përballë Malishevës me golin e shënuar nga Musta me një goditje dënimi
54’ – Karton i kuq për Skovgaard të Malishevës, pas ndërhyrjes në dëm të Kubazi, i cili u aktivizua në pjesën e dytë në vend të Ara.
51’ – Malisheva arrin të gjejë rrugën e rrjetës, por më parë ishte sinjalizuar për pozicion jashtë loje, goli nuk vlen.
46’ – Vllaznia e nis në sulm pjesën e dytë, por Avdyli kontrollon i pashqetësuar topin.
… nis pjesa e dytë
Mbyllet pjesa e parë…
41’ – Dros provon me një goditje të fuqishme nga distanca, portieri i Malishevës, Avdyli tregohet i saktë.
37’ – Goooool! Qato ka goditur saktë pas një aksioni të shpejtë duke vendosur barazpeshën në “Loro Boriçi”, 1-1.
35’ – Një goditje dënimi e ekzekutuar nga Gurishta ka kaluar të gjithë pasqyrën e portës së Malishevës, askush nga lojtarët kuqeblu nuk arriti të devijojë topin.
32’ – Pas një aksioni të gjatë të Vllaznisë, Dros në një pozicion të favorshëm godet në mënyrën më të gabuar të mundshme.
20’ – Uka futet në zonën e kuqebluve, por topi i goditur prej tij përfundon në këndore, një mundësi e humbur për Malishevën.
11’ – Mundësi e mirë për Vllazninë, pas ekzekutimit të një goditje dënimi, është Pusi që devijon topin rrezikshëm, por pa arritur të gjejë kuadratin.
3’ – Malisheva ka kaluar në avantazh përballë Vllaznisë, Xhylani ka shënuar direkt nga goditja e këndit.
Ka nisur sfida në “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe Malishevës, ndeshja e parë e turit të parë në Conference League



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.