Vlora nuk zbrazet as në vjeshtë, turistët dynden drejt Sazanit dhe Karaburunit
Sazani dhe Karaburuni vijojnë të tërheqin turistë edhe në vjeshtë, me vizitorë nga Europa, Australia, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara që mbërrijnë në Vlorë për t’i eksploruar.
Ishulli i Sazanit dhe gadishulli i Karaburunit, edhe gjatë vjeshtës, janë kthyer në destinacione të preferuara për qindra turistë të huaj, por edhe për pushues vendas, të cilët, siç tregojnë edhe vetë, gjatë vizitës së tyre në qytetin bregdetar zgjedhin t’i vizitojnë.
Me dhjetëra turistë nisen çdo ditë drejt këtyre destinacioneve me skafe, gomone apo anije turistike, pasi kanë marrë informacion për to përmes rrjeteve sociale ose internetit. Shumica prej tyre vijnë për herë të parë në Vlorë dhe pikërisht këto udhëtime i tërheqin, pasi i cilësojnë si eksperienca unike.
Turistët shprehen të surprizuar nga qyteti, ndërsa tregojnë se mbresa më të mëdha u kanë lënë ushqimi, deti, klima dhe njerëzit, të cilët i përshkruajnë si mikpritës.
“Ne vijmë nga Ukraina dhe jemi për herë të parë në Vlorë. Zgjodhëm qytetin sepse është lirë këtu, është një vend i bukur dhe ka më pak njerëz, mendoj. Tashmë ne do të vizitojmë ishullin, pasi mendojmë se kjo do të jetë një eksperiencë e bukur për të gjithë ne.
Për këtë destinacion kontrolluam më parë në internet. Në Vlorë, më tepër më pëlqejnë njerëzit dhe fakti që s’ka rusë këtu. Sigurisht, do të vij sërish këtu dhe do t’ua sugjeroj miqve të mi si destinacion”, u shpreh një turistja.
“Unë vij nga pjesa veriore e Italisë. Kemi zgjedhur Vlorën për pushime. Në Itali jam mësuese në shkollë të mesme dhe aty kam shumë nxënës nga Shqipëria, çka më bëri kurioze ta vizitoj këtë vend. Në Vlorë po më pëlqen shumë. Ajo që më pëlqen më tepër është deti, plazhet dhe njerëzit, pasi ata janë shumë mikpritës. Patjetër që do të kthehem këtu sërish. Në Itali do ta sugjeroj si destinacion për pushime’, tha një turiste tjetër.
Duke pritur anijen turistike apo skafin për të shkuar drejt Sazanit dhe Karaburunit, për të vizituar shpellën e Haxhi Aliut apo shpellën e Inglizit, çdo ditë gjen turistë nga e gjithë bota.Ata nuk vijnë vetëm nga Europa Perëndimore dhe Lindore, por edhe nga vende të largëta si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia, Egjipti e të tjera.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.