“Washington Post”: Kurioziteti, çelësi i një marrëdhënieje të shëndetshme
– Askush nuk të njeh më mirë se partneri yt. Të paktën, kjo është ajo që shumica e çifteve shpresojnë!, shkruan “Washington Post”.
Pas shumë vitesh së bashku, partneri pritet të jetë personi që të njeh më mirë se kushdo tjetër. Ai ose ajo është njeriu që njeh zakonet e tua, mënyrën si reagon në situata të ndryshme dhe shpesh arrin të kuptojë edhe gjendjen tënde emocionale pa pasur nevojë për shumë shpjegime.
Shumica e çifteve dëshirojnë të krijojnë një lidhje të tillë të fortë: të jenë me dikë që njeh detajet më të vogla të jetës së tyre, kujton edhe gjëra të thjeshta si mënyrën se si e preferojnë kafenë dhe kupton kur diçka nuk shkon, edhe pa qenë nevoja ta shprehin me fjalë.
Kjo shkallë njohjeje shpesh shihet si synimi përfundimtar i një marrëdhënieje të fortë. Megjithatë, ekspertët e marrëdhënieve theksojnë se njohja e thellë e partnerit nuk është një pikë ku mbërrin një çift dhe ndalon, por një proces që kërkon vazhdimisht vëmendje dhe përkushtim.
Çiftet më të qëndrueshme e shohin marrëdhënien si një udhëtim të vazhdueshëm, ku partnerët vazhdojnë të zbulojnë aspekte të reja të njëri-tjetrit, edhe pas shumë vitesh së bashku.
Ata përpiqen të kuptojnë ndryshimet që sjell koha, përvojat e reja dhe mënyrën se si evoluon personi që kanë në krah.
Sipas terapistëve të licensuar të martesës dhe familjes, si Elizabeth Earnshaw, një nga elementët më të rëndësishëm në një marrëdhënie të shëndetshme është ruajtja e kuriozitetit ndaj partnerit.
Gjithçka lidhet me një aftësi të thjeshtë, që shumë njerëz e përdorin natyrshëm në fillimet e një lidhjeje, por shpesh e harrojnë me kalimin e viteve: të bëjnë pyetje, të dëgjojnë me vëmendje dhe të tregojnë interes të sinqertë për botën e brendshme të partnerit.
Çfarë tregojnë studimet?
Një studim i vitit 2017, i kryer nga studiues të Universitetit të Harvardit, analizoi ndikimin e pyetjeve në krijimin e afërsisë mes njerëzve. Hulumtimi, i botuar në revistën shkencore “Journal of Personality and Social Psychology”, tregoi se personat që bëjnë më shumë pyetje gjatë bisedave, veçanërisht pyetje që lidhen me përgjigjet e mëparshme të bashkëbiseduesit, perceptohen si më të dashur dhe më të interesuar.
Studiuesit zhvilluan disa eksperimente me biseda mes njerëzve që sapo njiheshin dhe zbuluan se pyetjet ndihmonin në krijimin e ndjenjës së dëgjimit, mirëkuptimit dhe vlerësimit.
Ata vunë re se njerëzit që tregonin më shumë interes, përmes pyetjeve krijonin lidhje më pozitive me personin përballë.
Një tjetër ide e njohur në psikologji, lidhet me faktin se ndarja e mendimeve dhe përvojave personale ndihmon në forcimin e intimitetit emocional.
Psikologu Arthur Aron dhe kolegët e tij kanë studiuar prej vitesh, mënyrën se si bisedat më të thella dhe pyetjet personale, mund të rrisin ndjenjën e afërsisë mes njerëzve.
Sipas ekspertëve, problemi i shumë çifteve nuk është se nuk e njohin partnerin, por se me kalimin e kohës, ndalojnë së pyeturi dhe së zbuluari gjëra të reja për të.
Stiudimi zbuloi se një marrëdhënie e fortë nuk ndërtohet vetëm duke e “njohur” dikë, por duke vazhduar ta njohësh edhe kur kanë kaluar vite së bashku.
Kurioziteti, komunikimi dhe dëshira për të kuptuar partnerin mbeten disa nga elementët kryesorë të një lidhjeje të shëndetshme. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.