“Zgjedhjet e PD, farsa më e shëmtuar”, Salianji: Nuk votuan më shumë se 5 mijë anëtarë
Ish-deputeti i Partia Demokratike, Ervin Salianji, ka hedhur akuza të forta ndaj procesit të zgjedhjeve për kreun e PD-së, të mbajtura më 23 maj, duke i cilësuar ato si një “farsë” dhe duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e çdo vendimmarrjeje të marrë nga Sali Berisha.
Në një konferencë për mediat, të mbajtur këtë të martë, 26 maj, Salianji deklaroi se kandidaturat janë penguar në mënyrë direkte dhe indirekte, ndërsa procedurat e ndjekura nuk kanë respektuar standardet dhe statutin e partisë.
“Çdo vendimmarrje e marrë nga Sali Berisha ligjërisht është nul. Kandidaturat u penguan në mënyrë direkte apo indirekte. Sapo kam filluar të shpreh kritikat ndaj Sali Berishës ka nisur një batërdi me sulme. Afatet dhe procedurat e kandidimit janë ndjekur pa standarde pa asnjë. U shpik një term referendum që nuk ekziston për asnjë.
Në vend që PD të hapet, u zgjodh rruga e mbylljes, për ta përdorur për interesa personale. Një parti që nuk pranon garën brenda vetes, fatkeqësisht nuk mund të bindë as shqiptarët që mund të qeverisë. Problemi në këtë rast nuk është vetëm një individ, ka një brez tjetër, ka një mendësi tjetër. Bindja ime dhe e mbështetësve është që të shembim një model politik, ku nuk ka qarkullim elitash. Kemi nevojë për një PD ku respektohen rregullta, gara është reale dhe askush nuk është mbi statutin e PD.
Kjo nuk është betejë për një karrige personale, që nuk e bëj as unë dhe askush në PD që mendon ndryshe. PD dhe drejtuesit e PD-së është e padrejtës që t’u kërkosh qytetarëve shqiptarë, që të mos konfirmohen, që të përballen me regjimin, ndërkohë që për një karrige dhe disa privilegje të vogla nuk ka guxim që të përballen.“
Ai akuzoi drejtimin aktual të PD-së për mbyllje të garës së brendshme dhe përdorim të partisë për interesa personale, duke theksuar se pjesëmarrja në votim ka qenë minimale dhe se demokratët e kanë braktisur masivisht procesin.
“Më lini të flas pak për ditën e votimit, nëse mund të quhet e tillë, sepse ishte farsa më e shëmtuar. Shifrat tregojnë një braktisje masive të demokratëve. Pjesëmarrja ishte më pak se minimalja. Nuk kanë marrë pjesë në të gjithë Shqipërinë më shumë se sa 5 mijë anëtarë.“
Më tej Salianji se ai dhe të gjithë mbështetësit e tij shprehen të dëshpëruar nga situate në të cilën ndodhet Partia Demokratike. Sipas tij demokratët kanë nevojë që të ndjehen pjesëmarrësve në vendimet brenda partisë dhe jo të përjashtuar.
“Jemi të gjithë të dëshpëruar nga pengmarrja e PD-së nga Sali Berisha për interesat e tij personale. Rinovimi nuk është përçarje, por mekanizëm jetik. Gara është dhe duhet të ishte oksigjen për Partinë Demokratike. Mendimi ndryshe nuk duhet përjashtuar dhe as penalizuar, por duhet dëgjuar. Demokratët kanë nevojë që të ndihen pjesë e vendimmarrjes.“
Sipas Salianjit beteja e tij nuk është për një karrige, apo për një karrierë politike, por për një parti demokratike, e cila nëse mund të jetë një alternativë qeverisëse në vend.
“Nëse duam që të bindim shqiptarët se mund të demokratizojmë Shqipërinë, duhet më së pari të demokratizojmë PD. Kjo nuk është një betejë për një karrige, nuk kam asnjë pakënaqësi në karriere, por për shkak të sakrificave, PD duhet të ndahet nga ky model i llahtarshëm, që nuk ka parimet e shtetit të së drejtës. Demokratët e kanë braktisur këtë farsë, institucionet e brendshme të PD kanë rënë. Kam dërguar një shkresë në PD, pashë që një anëtar atje kishte marrë 5 kulla. Jemi në regjimin Rama-Berisha. Berisha është kamerdarja e shpëtimit të Edi Ramës.
Partia Demokratike nuk është vetëm e Sali Berishës. Askush nuk kërkon përçarje, përkundrazi. Nëse PD vazhdon të identifikohet vetëm me konfliktin dhe hakmarrjen do e ketë të pamundur që të integrohen në elektoratin gri. Shqipëria ka nevojë për një opozitë të madhe dhe gjithëpërfshirëse. Vetëm duke pranuar pluralizmin brenda vetes PD mund të bindë shqiptarët se është e gatshme që të qeverisë. Interesi im është që PD të jetë fituese. Nëse nuk reagojmë sot, do të jetë shumë vonë nesër”, u shpreh Salianji.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.