Zogaj: Protestës i mungon një palë përfaqësuese për dialog, por Rama duhet t’i përgjigjet kërkesave çfarë mund të realizohet e çfarë jo
Analisti Prec Zogaj u shpreh se protesta që po zhvillohet prej javësh në Tiranë ka një pjesëmarrje të lartë të të rinjve dhe se ajo pasqyron një perceptim të përhapur në opinionin publik për mënyrën se si ushtrohet pushteti.
Në emisionin “Trialog” në RTSH, Zogajt tha se protesta nuk ka një përfaqësim të qartë me të cilin qeveria të mund të dialogojë, megjithatë, sipas tij, kjo nuk e përjashton detyrimin e kryeministrit për t’iu përgjigjur kërkesave të protestuesve.
“Jemi në ditën e 31-të të protestës dhe shtrohet pyetja se si i qaset kryeministri kësaj situate. Ata nuk kanë një përfaqësim me të cilin të dialogohet dhe është e vështirë të komunikohet me protestën si të tillë. Kryeministri vetë, në ditën e 31-të, me çfarë i qaset protestës?Unë mendoj se ai duhet të bëjë pjesën e vet. Njerëzit janë aty, arsyet janë aty, kërkesat janë aty. Kanë rënë disa budallallëqe, si ideja e zgjedhjeve me short, por kanë mbetur pesë kërkesa konkrete. Për këto, kryeministri ka detyrimin të thotë: kjo jo, kjo po, kjo do të diskutohet. Deri tani nuk kemi dëgjuar asgjë të qartë”, u shpreh Zogaj.
Zogaj shtoi se një politikan me përvojë duhet të shkojë përtej reagimeve formale dhe të reflektojë mbi shqetësimet që ngre protesta.
“Një politikan me përvojë shkon edhe përtej kërkesave për të reaguar ndaj asaj që ata kërkojnë. Duhet të kishte reflektim përtej tërheqjes për ligje konkrete, që janë edhe pjesë e kërkesave të Bashkimit Europian apo për reformimin politik”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.