Zyrtari i BE-së: Reforma kadastrale, kyçe për integrimin europian dhe forcimin e ekonomisë në Ballkanin Perëndimor
I Ngarkuari me Punë në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Andre Rizzo, ka vënë theksin te rëndësia e reformës kadastrale dhe transformimit digjital në kuadër të procesit të integrimit europian, gjatë fjalës së mbajtur në konferencën rajonale të vendeve të Ballkanit Perëndimor për transformimin digjital dhe integrimin në BE.
Në deklaratën e tij, Rizzo u shpreh se procesi i aderimit në Bashkimin Evropian mbetet një nga sfidat më të rëndësishme për vendet e rajonit, ndërsa reforma të tilla konsiderohen pjesë thelbësore e grupkapitujve themelorë të negociatave.
“Procesi i aderimit në BE është pjesë thelbësore e grupkapitujve themelorë dhe ne ndodhemi në një kryqëzim shumë të rëndësishëm për negociatat. Kjo tregon edhe shkallën e vështirësisë së reformave që kërkohen”, deklaroi ai.
Duke u ndalur te reforma kadastrale, përfaqësuesi i BE-së theksoi se ajo përbën një “gur themeli të mirëqeverisjes”, pasi lidhet drejtpërdrejt me sigurinë juridike dhe të drejtat pronësore të qytetarëve.
“Reforma kadastrale është shumë e rëndësishme sepse garanton siguri ligjore, të drejta pronësore, transparencë dhe transaksione të drejta. Ajo përmirëson shërbimet publike, redukton rreziqet e keqmenaxhimit dhe nxit një treg më dinamik të pasurive të paluajtshme”, tha Rizzo.
Sipas tij, modernizimi i sistemit kadastral ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe në mirëqenien sociale të vendeve të rajonit.
“Modernizimi i sistemit kadastral kontribuon në një ekonomi më të fortë dhe një shoqëri më të begatë”, u shpreh ai.
Rizzo theksoi gjithashtu se reforma në këtë sektor është pjesë e kuadrit të negociatave për aderimin në BE dhe përfshihet edhe në agjendat reformuese të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ai kujtoi se shumë vende të rajonit trashëgojnë problematika të vjetra nga sistemet e mëparshme administrative, të cilat kanë krijuar vështirësi afatgjata në mbledhjen e të dhënave, regjistrimin e pronave dhe dokumentimin e transaksioneve.
“Në të gjithë rajonin, trashëgimia e sistemeve të mëparshme ka krijuar sfida afatgjata dhe vështirësi në mbledhjen e të dhënave dhe regjistrimin e pronave. Megjithatë, gjatë tre dekadave të fundit vendet kanë bërë përparim të konsiderueshëm për adresimin e këtyre problematikave”, deklaroi ai.
Duke folur konkretisht për Shqipërinë, Rizzo tha se vendi pasqyron të njëjtat dinamika rajonale, ku procesi i identifikimit dhe regjistrimit të pronave ka qenë kompleks për shkak të ndryshimeve demografike, dokumentacionit historik dhe kuadrove ligjore të ndryshueshme.
“Gjatë viteve, shumë godina kanë mbetur të paregjistruara, të dhënat janë ruajtur manualisht dhe shpesh të dhënat elektronike nuk përputhen me situatën reale në terren”, tha ai.
Përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së nënvizoi se Bashkimi Evropian dhe Shqipëria kanë forcuar bashkëpunimin për të adresuar këto sfida, duke u fokusuar në përshpejtimin e regjistrimit të pronave, digjitalizimin e shërbimeve, përmirësimin e saktësisë së të dhënave dhe forcimin e komunikimit me qytetarët.
“Për të mbështetur këto procese, Bashkimi Evropian ka krijuar programe domethënëse që kombinojnë ekspertizën ndërkombëtare dhe atë kombëtare”, theksoi Rizzo.
Ky i fundit u shpreh i inkurajuar nga progresi i bërë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës në Shqipëri, duke vlerësuar përmirësimin e shërbimeve dhe cilësisë së të dhënave.
“Jemi të inkurajuar nga fakti që Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka përmirësuar ofrimin e shërbimeve, cilësinë e të dhënave dhe ndërveprimin me palët kyçe të interesit”, theksoi ai.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.