49 milionë euro për Shqipërinë nga BE, Rama: Dëshmi e ecurisë së reformave. Suksesi nuk bëhet me shpifje e molotovë
Bashkimi Europian akordoi disa ditë më parë një tjetër këst prej 49 milionë eurosh për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke çuar totalin e mbështetjes në rreth 212 milionë euro.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë zhvillim si një tjetër dëshmi të suksesit të reformave dhe të rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Ai theksoi se mbështetja financiare e BE-së është rezultat i një procesi të bazuar në rezultate konkrete dhe të verifikueshme, të certifikuara nga institucionet europiane.
“Tjetër mbështetje financiare e Bashkimit Europian ka ardhur nga Brukseli, ndërsa është vendosur çelja e fazës përmbyllëse të negociatave, është njëkohësisht vijuar edhe me çeljen e një tjetër fondi për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. 49 milionë euro, të cilat e çojnë mbështetjen deri këtu në 212 milionë euro, ose shifra më e lartë e përftuar nga vendet e rajonit prej Planit të Rritjes. Plani i Rritjes është një plan financimi mbi bazë rezultatesh dhe janë rezultate të certifikuara nga Komisioni Europian, të padiskutueshme në objektivitetin e tyre, sepse, ndryshe nga sa e përflasin ditë e natë ata që në fund gjithmonë humbasin”, tha Rama.
Sipas Ramës, Shqipëria po vijon të ecë përpara si një histori suksesi në rajon, falë reformave të ndërmarra dhe angazhimit të institucioneve në procesin e integrimit.
“Shqipëria europiane që po ndërtojmë, është një histori suksesi, një histori që nuk shkruhet me britma, nuk bëhet me shpifje apo me molotovë, por me vizion, me punë, me durim të madh dhe me përkushtim hap pas hapi, reformë pas reforme”, u shpreh ai.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.