Akuzohen se regjistruan 6 prona me dokumente false, Prokuroria kërkon “arrest në burg” për ish-drejtorin e Kadastrës Fie
Pas arrestimeve të kryera disa ditë më parë për një çështje pronash në Fier, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për ish-drejtorin e ASHK-së, Ertis Shehu, dhe personin që dyshohet se ka përfituar pronat. Për një ish-hartograf të ASHK-së është kërkuar një masë më e lehtë sigurie.
Në qendër të hetimit janë gjashtë prona në zonën e Levanit, me një sipërfaqe totale prej rreth 71.7 hektarësh.
Sipas Prokurorisë, dyshohet se këto prona janë regjistruar gjatë vitit 2023 duke përdorur dokumentacion të falsifikuar.
Bëhet fjalë për toka që lidhen me një vendim të vitit 2008, përmes të cilit ishte njohur e drejta e kompensimit për 100 hektarë tokë bujqësore në zonën e Levanit dhe Dërmënasit.
Një prej trashëgimtarëve, E.H., kishte marrë në vitin 2018 një kompensim financiar prej 53.8 milionë lekësh. Megjithatë, sipas hetimit, më vonë ai ka ndjekur procedurat për regjistrimin e gjashtë pronave, të cilat së bashku shtrihen në rreth 71.7 hektarë.
Prokuroria dyshon se në këtë proces kanë pasur rol edhe ish-drejtori i ASHK-së Fier, Ertis Shehu, dhe ish-hartografi i institucionit, duke lehtësuar regjistrimin e pasurive.
Pas regjistrimit, disa prej pronave dyshohet se janë shitur, duke gjeneruar të ardhura të konsiderueshme. Për këtë arsye, hetuesit po verifikojnë edhe transaksionet e kryera, lëvizjen e parave dhe destinacionin e tyre.
Në kuadër të hetimit janë sekuestruar edhe 715.976 euro në llogarinë bankare të E.H., ndërsa janë marrë për verifikim edhe dokumente dhe pajisje elektronike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.