Berisha merr vizën amerikane? Luçiano Boçi jep detaje nga vizita në SHBA
Deputet i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, ka dhënë detaje në emisionin “Now” rreth një vizite të pritshme të Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Boçi deklaroi se viza e Berishës është e kryer politikisht që nga momenti i komunikimeve për heqjen e masës non-grata. Sipas tij, pajisja fizike e pasaportës me vizë është thjesht një procedurë formale administrative.
“Zoti Berisha e ka marrë vizën që në momentin që u hoq “non grata” dhe që në momentin që ai pati komunikimin me ambasadoren. Këto janë procedura formale që kanë kohëzgjatjen e tyre dhe momentin pastaj të realizimit të tyre”.
Sa i përket detajeve të vizitës dhe ftesës, Boçi thekson se Berisha udhëton si zëvendëspresident i IDU-së me ftesë nga një konventë e republikanëve të Teksasit
“Përderisa ftesa është e qartë, zoti Berisha e ka transmetuar sot, vjen nga IDU-ja, ai është zëvendëspresident. Ftesa është bërë nga një institucion serioz, nga një konventë e republikanëve të Teksasit, dhe këtu nuk ka asnjë lloj pengese që zoti Berisha të ketë në pasim këtë udhëtim”, tha deputeti.
I pyetur se çfarë pret politikisht nga kjo vizitë, Boçi tha se rikthen një të drejtë të transmetuar prej kohësh.
“Rikthehet një e drejtë e transmetuar prej kohësh që “non grata” e zotit Berisha ishte “non grata” e lobuar për interesa të ngushta politike të krahut tjetër mazhoritar dhe për interesa — përfshirë interesa personale të personave të involvuar në këtë lloj procesi, dhe demolon të gjithë propagandën që është ngritur prej kaq vitesh kundër zotit Sali Berisha në mënyrë të veçantë dhe kundër Partisë Demokratike.
Sigurisht që ka benefite në mënyrën se si anëtari i PD-së e sheh raportin me Shtetet e Bashkuara, në raportin e partisë së tij me Shtetet e Bashkuara, raportin e liderit të tij me Shtetet e Bashkuara.
Por kjo ndryshon edhe perceptimin që ka qytetari në raport me PD-në, në raport me atë që po ndodh tani, por dhe në raport me atë çka ka ngjarë deri më tani dhe se si është ndërvepruar me qëllim për ta sulmuar PD-në, për ta goditur në shumë plane: në planin politik, në planin juridik edhe në planin e lidershipit”, ka argumentuar Luçiano Boçi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.