Detajet e operacionit “Premtimi”, kush është ‘Zana’ që u zhvati qytetarëve në Tiranë mbi 100 mijë eur
Policia e Tiranës çmontoi sot një skemë mashtrimi me pronat, që kap vlerën e mbi 100 mijë eurove, në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi” (4 shtator).
Si pasojë e këtij operacioni, është vënë në pranga 58-vjeçarja Suzana Doda, ndërsa është nisur procedimi penal në gjendje të lirë për bashkëpunëtoren e saj, Sara Ndoj.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, dy gratë kishin ngritur një skemë duke u premtuar qytetarëve zgjidhjen e problemeve pronësore përmes ndërhyrjeve të rreme pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK). Për t’i joshur viktimat dhe për t’u dhënë besueshmëri, ato i pajisnin ata edhe me dokumente dhe certifikata që dyshohet se janë të falsifikuara.
Nga kjo veprimtari e paligjshme, të dyshuarat kanë arritur të përfitojnë shuma të konsiderueshme monetare, të cilat llogariten në mbi 100 mijë euro. Gjatë kontrolleve të ushtruara, shërbimet e policisë sekuestruan një sasi parash në euro, pajisje celulare, si dhe disa dokumente e certifikata pronësie të falsifikuara.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet mashtrimi.
Njoftimi i policisë:
“Finalizohet operacioni i koduar “Premtimi”.
Dyshohet se kanë përvetësuar mbi 100 000 euro, duke mashtruar qytetarë, se do të ndërhynin në AShK, për t’iu zgjidhur rastet pronësore, dhe duke i pajisur me dokumente false, vihet në pranga 58-vjeçarja dhe në hetim bashkëpunëtorja e saj.
Sekuestrohen një shumë eurosh e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, disa certifikata të dyshuara të falsifikuara dhe 2 celularë.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të gazetarëve të emisionit investigativ “STOP”, se ishin kontaktuar nga shtetas të ndryshëm të pajisur me dokumente false nga një shtetase, e cila i kishte mashtruar se mund t’iu zgjidhte çështjet pronësore, pasi kishte të njohur në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi”, ndaluan dhe vunë në pranga të dyshuarën, shtetasen S. D., 58 vjeçe.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëpunëtoren e dyshuar të 58-vjeçares, shtetasen S. N., 27 vjeçe.
Këto shtetase dyshohet se nëpërmjet veprimtarive kriminale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, kanë përfituar mbi 100 000 euro, nga qytetarë të ndryshëm.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimi për të zbardhur dhe dokumentuar raste të tjera të kësaj veprimtarie kriminale, të kryera nga shtetasja S. D. dhe bashkëpunëtorja e saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.