“Euronews”: Shqipëria, mes destinacioneve në trend edhe në 2027-ën
– Shqipëria pritet të jetë një nga destinacionet turistike më të kërkuara në vitin 2027. Plazhet e bukura dhe çmimet konkurruese konsiderohen ndër faktorët që pritet ta bëjnë vendin një zgjedhje gjithnjë e më tërheqëse për turistët, raportoi “Euronews”.
A po ëndërroni për udhëtime në vitin 2027, por nuk jeni të sigurt se ku të shkoni? Të dhënat e reja kanë zbuluar destinacionet kryesore, që pritet të jenë në trend vitin e ardhshëm dhe rezultatet janë interesante!
Ngjarjet e mëdha sportive dhe eklipsi diellor spektakolar pritet gjithashtu, të ndikojnë në zgjedhjet e turistëve për vitin e ardhshëm.
Gjetjet tregojnë se kalendari i ngjeshur i aktiviteteve sportive, do të ketë një ndikim të madh në turizëm në vitin 2027.
“Ryder Cup” në Irlandë, Kupa e Botës FIFA për femra në Brazil dhe Kupa e Botës në “Rugby” për meshkuj në Australi pritet të rrisin rezervimet e udhëtimeve.
Edhe eklipsi diellor në Afrikën e Veriut dhe Spanjë po tërheq shumë interes nga vizitorët që janë të apasionuar pas astronomisë.
Sipas të dhënave të “Advantage Travel Partnership”, një organizatë me seli në Britaninë e Madhe, që bashkon bizneset e pavarura të udhëtimit, Shqipëria renditet ndër destinacionet që duhet vizituar në vitin 2027, falë plazheve të saj të bukura dhe raportit të mirë mes çmimit dhe cilësisë.
Gjithashtu, përveç Shqipërisë, si destinacionet turistike për vitin e ardhshëm, janë sugjeruar Hong Kongu, Egjipti dhe Vietnami.
Vlerësimi vjen në një kohë kur Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë interes në tregun ndërkombëtar të turizmit.
Sipas të dhënave të fundit të “Advantage Travel Partnership”, tendencat e udhëtimit po orientohen gjithnjë e më shumë drejt përvojave dhe eksplorimit të destinacioneve, ndërsa Shqipëria është veçuar pikërisht në këtë kontekst si një nga destinacionet, që pritet të spikasë në vitin 2027.
Të dhënat e kompanise britaike “Thomas Cook” e kanë renditur më herët vendin si një destinacion në rritje, ndërsa oferta turistike përfshin plazhet e Adriatikut dhe Jonit, qytete historike, peizazhe malore dhe përvoja kulturore.
Për turistët, një tjetër avantazh i Shqipërisë është raporti cilësi-çmim. Tirana është renditur së fundmi, ndër destinacionet evropiane me raportin më të mirë të çmimit, me një kosto mesatare ditore prej rreth 59 eurosh, duke përfshirë akomodimin, ushqimin, transportin dhe aktivitetet, sipas “The Irish Sun”.
Rritja e interesit është reflektuar edhe në rezervime. Sipas të dhënave të raportuara nga “Thomas Cook”, rezervimet për Shqipërinë janë rritur me 293% krahasuar me një vit më parë, duke e renditur vendin ndër destinacionet evropiane me rritjen më të shpejtë të kërkesës, raportoi “The Sun”.
Krahas plazheve, Shqipëria ofron edhe turizëm kulturor dhe natyror, me destinacione si Berati, Gjirokastra, Butrinti, Alpet Shqiptare, Tirana, Durrësi, Ksamili dhe Riviera Shqiptare. Kjo larmi e bën vendin të përshtatshëm si për pushime në bregdet, ashtu edhe për vizitorët që kërkojnë histori, natyrë dhe eksplorim, sipas “Thomas Cook”. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.