FMN: Kosova pritet të jetë një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë
Raporti i FMN-së parashikon rritje ekonomike prej rreth 4 për qind për Kosovën në vitet e ardhshme, por thekson se kjo rritje do të vijë kryesisht nga konsumi i brendshëm, remitancat e diasporës dhe investimet publike.
Euronews sot ka publikuar një artikull ku tregon se sipas FMN-së, Kosova pritet të jetë ndër top vendet me rritjen ekonomike më të shpejtë gjatë viteve të ardhshme.
Megjithatë, analiza e Euronews, e bazuar në raportin e FMN-së, e shpjegon qartë se rritja ekonomike e Kosovës mbështetet në faktorë që kanë karakterizuar ekonominë e vendit prej vitesh, ndërsa njëkohësisht evidenton dobësitë strukturore që vazhdojnë ta shoqërojnë atë.
Sipas raportit, motori kryesor i rritjes do të jetë kërkesa e brendshme, e mbështetur nga konsumi i familjeve, investimet publike, remitancat dhe një fuqi punëtore relativisht e re.
FMN vlerëson se Kosova pritet të mbetet ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë, me një normë mesatare prej rreth 4 për qind në vit gjatë periudhës 2027-2031, dukshëm mbi mesataren e eurozonës, e cila pritet të jetë vetëm 1.2 për qind.
“Nxitësit e rritjes janë të veçantë. Paratë e dërguara në vendlindje nga diaspora e madhe, kryesisht në Gjermani dhe Zvicër, financojnë si konsumin ashtu edhe investimet në biznes, teksa shpenzimet publike në infrastrukturë dhe sektori bankar në rritje i shtohen kësaj përzierjeje”.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që ekonomia e eurozonës të rritet me pak më shumë se 1% në vit deri në vitin 2031.
Megjithatë, disa nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë pritet të jenë vendet më të vogla, ku edhe Ukraina e goditur nga lufta renditet ndër shtetet që do të rriten më shumë se dy herë më shpejt se eurozona.
Borxhi i lartë publik, plakja e popullsisë, produktiviteti i dobët, kostot ende të larta të energjisë dhe pasiguria e vazhdueshme gjeopolitike pritet ta mbajnë rritjen ekonomike të eurozonës dukshëm nën mesataren historike gjatë pjesës së mbetur të dekadës.
Sipas raportit më të fundit World Economic Outlook të FMN-së, eurozona pritet të shënojë një rritje mesatare prej vetëm 1.2% në vit gjatë periudhës 2027–2031, ndërsa viti më i mirë pritet të jetë 2028 me 1.4%.
Evropian në tërësi parashikohet të ketë një performancë pak më të mirë, me një rritje mesatare prej 1.4% në vit, duke arritur kulmin në vitin 2028 me 1.6%.
Ky është një ritëm rritjeje mjaft modest. Në të njëjtën periudhë, ekonomia globale pritet të rritet me rreth 3.2% në vit. Azia në zhvillim pritet të shënojë rritje prej 4.6%, India 6.5%, ndërsa edhe Afrika Sub-Sahariane pritet të ketë rritje prej 4.6%.
Megjithatë, një grup vendesh shumë më të vogla evropiane, që shtrihen nga Mesdheu deri në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore, pritet të kenë ritëm rritjeje më shumë se dyfish krahasuar me eurozonën gjatë pesë viteve të ardhshme.
The five European economies set to grow more than twice as fast as the eurozone | Euronews
Moldavia- Reformat dhe integrimi në BE mbështesin rritjen
FMN parashikon që Moldavia të ketë një rritje mesatare prej 3.5% në vit gjatë periudhës 2027–2031, ndërsa viti më i mirë do të jetë 2028 me rreth 3.7%.
Ky rikuperim vjen pas një periudhe të vështirë të karakterizuar nga lufta në kufijtë e saj, kriza energjetike dhe thatësira, që e lanë ekonominë pothuajse pa rritje në vitin 2024.
Rimëkëmbja mbështetet kryesisht në fondet e Bashkimit Evropian dhe reformat. Brukseli i dha Moldavisë statusin e vendit kandidat në vitin 2022 dhe hapi negociatat për anëtarësim në vitin 2024. Ndërkohë, Plani i Rritjes i BE-së po financon investime publike në vend.
Konsumi i familjeve, i mbështetur nga rritja e pagave reale dhe remitancat që përbëjnë rreth 10% të PBB-së, mbetet shtytësi kryesor i ekonomisë, ndërsa sektori i teknologjisë së informacionit dhe shërbimeve po udhëheq nga ana e ofertës.
FMN vlerëson se vazhdimi i reformave do të jetë vendimtar. Rreziku më i madh mbetet përshkallëzimi i luftës në Ukrainë ose ngadalësimi i reformave të lidhura me integrimin në BE.
Serbia-Bumi i investimeve ruan ritmin e rritjes
Serbia renditet pak përpara Moldavisë, me një rritje mesatare prej 3.52% në vit. Ndryshe nga vendet e tjera, ritmi i saj pritet të përshpejtohet në fund të periudhës, duke arritur kulmin në vitet 2030–2031.
Faktori kryesor është Expo 2027, panairi botëror që do të mbahet në Beograd dhe pritet të tërheqë miliona vizitorë.
Ky aktivitet ka nxitur një valë të madhe investimesh në autostrada, hekurudha dhe zhvillim urban, krahas zgjerimit të eksporteve industriale dhe investimeve të mbështetura nga Kina në minierat e bakrit.
Sipas FMN-së, Serbia ka krijuar baza të forta makroekonomike duke ulur inflacionin dhe duke ruajtur disiplinën fiskale.
Megjithatë, tensionet politike para zgjedhjeve të vitit 2027 dhe nevoja që investimet publike të përkthehen në rritje afatgjatë të produktivitetit mbeten sfidat kryesore.
Ukraina-Rindërtimi pritet të bëhet motori i ekonomisë
FMN parashikon që Ukraina të ketë një rritje mesatare prej 3.8% në vit, ndërsa në vitin 2028 ekonomia mund të rritet me rreth 4.2%.
Ky parashikim mbështetet në supozimin se lufta do të zbehet dhe procesi i rindërtimit do të nisë seriozisht, duke gjeneruar investime të mëdha. Banka Botërore vlerëson se kostoja e rindërtimit i afrohet 600 miliardë dollarëve.
Nëse lufta vazhdon, skenari ndryshon ndjeshëm. Në variantin më pesimist të FMN-së, ekonomia ukrainase do të rritej vetëm me 1% në vitin 2027.
FMN thekson se perspektiva mbetet jashtëzakonisht e pasigurt, pasi lufta vazhdon të ketë pasoja të rënda për popullsinë dhe ekonominë.
Kosova-Kërkesa e brendshme vazhdon të jetë e fortë
Kosova pritet të mbetet një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë, pavarësisht madhësisë së saj.
Rritja ekonomike parashikohet të stabilizohet rreth 4%, e mbështetur nga konsumi i familjeve, investimet publike, remitancat e diasporës dhe një fuqi punëtore e re.
FMN vlerëson se zbatimi në kohë i Planit të Ri të Rritjes të Bashkimit Evropian mund të japë një shtysë shtesë për rritjen ekonomike dhe punësimin.
Karakteristikë kryesore e ekonomisë së Kosovës mbeten remitancat nga diaspora, veçanërisht nga Gjermania dhe Zvicra, të cilat financojnë konsumin dhe investimet private. Në të njëjtën kohë, investimet në infrastrukturë dhe zgjerimi i sektorit bankar po kontribuojnë në zhvillimin ekonomik.
Megjithatë, FMN thekson se ekonomia mbetet e varur nga kërkesa e brendshme dhe importet, ndërsa vendi ende nuk ka ndërtuar një bazë konkurruese të eksporteve.
Malta- Ekonomia me rritjen më të shpejtë në Evropë
Malta kryeson renditjen e FMN-së për rritjen ekonomike në Evropë në afatin e mesëm.
Sipas FMN-së, ekonomia malteze pritet të rritet me afërsisht 4% në vit gjatë pesë viteve të ardhshme.
Gjatë dekadës së fundit, Malta ka regjistruar një rritje mesatare prej afro 7% në vit, e mbështetur nga turizmi, industria e lojërave online, shërbimet profesionale dhe financiare, si dhe nga punëtorët e huaj që kanë mbështetur tregun e punës.
Megjithatë, ky model po arrin kufijtë e tij. Me papunësinë pranë niveleve rekord të ulëta dhe mungesën në rritje të fuqisë punëtore, Malta nuk mund të mbështetet më vetëm në zgjerimin e numrit të punonjësve.
FMN thekson se fluksi i punëtorëve të huaj ka ushtruar presion mbi infrastrukturën dhe shërbimet publike, duke treguar kufizimet e modelit aktual të rritjes.
Në të ardhmen, suksesi ekonomik i Maltës do të varet më shumë nga rritja e produktivitetit sesa nga zgjerimi i tregut të punës. Sipas FMN-së, forcimi i financave publike dhe investimet në infrastrukturë, arsim dhe inovacion do të jenë vendimtare për rritjen afatgjatë të ekonomisë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.