Hamza për zhvarrosjet në Zubin Potok: Edhe pas 27 vitesh presim të vërtetën për të zhdukurit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka reaguar pas nisjes së procesit të zhvarrosjes në një lokacion në komunën e Zubin Potokut, ku dyshohet për mbetje mortore dhe një varrezë masive.
Hamza ka thënë se Kosova, edhe pas 27 vitesh nga përfundimi i luftës, vazhdon të përballet me dhimbjen e familjeve që presin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre të zhdukur.
“Sot në Zubin Potok po gërmohet për mbetje mortore, pas dyshimeve për një varrezë masive. Edhe pas 27 vitesh, ne ende jetojmë me dhimbjen e pritjes dhe shpresën për të mësuar të vërtetën për mijëra qytetarë të zhdukur me dhunë gjatë luftës”, ka shkruar Hamza.
Ai ka deklaruar se, sipas tij, është e papranueshme që Serbia ende nuk ka dhënë llogari për krimet e kryera gjatë luftës dhe se vazhdon të mbetet pa përgjigje çështja e mijëra personave të zhdukur.
Hamza ka përmendur edhe procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke thënë se, ndërsa ky proces po vazhdon, Serbia duhet të përballet me përgjegjësinë për krimet e luftës.
“Është e papranueshme që, ndërsa në Hagë po e presim përfundimin e procesit të padrejtë gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Serbia ende nuk ka dhënë llogari për krimet monstruoze të kryera mbi popullsinë tonë dhe vazhdon ta mbajë peng të vërtetën për mijëra të zhdukur”, ka deklaruar ai.
Kryetari i PDK-së ka thënë se edhe Mitrovica është një nga zonat që ka përjetuar rëndë pasojat e luftës, duke theksuar se mbi 100 familje nga kjo komunë ende presin informacione për fatin e familjarëve të tyre.
Ai ka përmendur veçanërisht rastin e 23 intelektualëve mitrovicas, të cilët, sipas tij, u panë për herë të fundit më 19 prill 1999 në fshatrat e Zubin Potokut.
“Në mesin e tyre janë edhe familjet e 23 intelektualëve mitrovicas, njerëz të dijes dhe vlerave kombëtare, shumica prej të cilëve ishin miq shumë të afërt të mi, të cilët u panë për herë të fundit më 19 prill 1999 në fshatrat e Zubin Potokut”, ka shkruar Hamza.
Ai ka theksuar se Kosova do të vazhdojë të kërkojë zbardhjen e fatit të të zhdukurve, drejtësi për familjet e tyre dhe përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës.
Institucionet kompetente në Kosovë kanë nisur procesin e zhvarrosjes në Zubin Potok me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Procesi zhvillohet në kuadër të dy rasteve të hetimit penal, ndërsa për këtë rast janë ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar me inicialet M.J. dhe M.B.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.