Incidenti në Kuvend, gratë e PS akuzojnë Shehajn për sjellje të papranueshme ndaj këshilltares
Gratë dhe vajzat deputete të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dënuan me forcë incidentin e ndodhur në Kuvend, ku sipas tyre deputeti Agron Shehaj mori me forcë një dokument të klasifikuar dhe u largua nga ambientet e institucionit, ndërsa një këshilltare e Kuvendit, gjatë përpjekjes për ta ndaluar, u rrëzua dhe mbeti e lënduar.
Në deklaratën e tyre, deputetet socialiste shprehen se punonjësja e administratës ndodhet e shtruar në spital dhe theksojnë se Shehaj nuk u ndal për t’i dhënë ndihmë.
Sipas tyre, ngjarja përbën një akt të papranueshëm ndaj një gruaje në vendin e saj të punës, si edhe cenim të institucioneve dhe të ligjit.
Deputetet e PS e cilësojnë sjelljen e Shehajt si shfaqje të mizogjinisë, dhunë ndaj një punonjëseje publike dhe shkelje të detyrimeve që burojnë nga mandati i deputetit. Ato theksojnë se asnjë kauzë politike nuk mund të justifikojë braktisjen e një gruaje të lënduar.
Në përfundim të deklaratës, gratë socialiste kërkojnë që Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën të trajtojë me seriozitet incidentin, ndërsa i bëjnë thirrje Agron Shehajt të kërkojë falje publike ndaj këshilltares së lënduar. Gjithashtu, ato kërkojnë marrjen e masave disiplinore dhe vijimin e hetimit penal për ngjarjen, duke theksuar se siguria dhe dinjiteti i grave në institucionet shtetërore duhet të mbrohen pa asnjë kompromis.
Deklarata e plotë:
DEKLARATË E GRAVE DHE VAJZAVE DEPUTETE TË PARTISË SOCIALISTE
Ne, gratë dhe vajzat deputete të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, dënojmë me forcë ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në selinë e demokracisë shqiptare, para syve të Shqipërisë dhe para kamerave. Kryetari i Partisë “Mundësia” dhe deputeti Agron Shehaj rrëmbeu me forcë një dokument të klasifikuar të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u largua me vrap nga zyra e Kuvendit. Në përpjekje për ta ndaluar dhe për të kryer detyrën e saj, një këshilltare e Kuvendit, një grua në vendin e saj të punës e ndoqi pas, u rrëzua nga shkallët dhe mbeti e lënduar dhe sot ndodhet e shtruar në spital. Deputeti Shehaj as nuk u ndal, as nuk u kthye, as nuk i dha ndihmë. E la përtokë dhe iku.
Për ne, gratë socialiste ky është momenti më i rëndë i kësaj ngjarjeje. Sepse bëhet fjalë për një grua, një punonjëse të administratës së Kuvendit, e cila po zbatonte ligjin dhe po kryente me korrektësi detyrën për të cilën ishte ngarkuar.
Kur një deputet, një burrë, kryetar partie, figurë publike shkel ligjin dhe deklaratën e konfidencialitetit në një zyrë të Kuvendit; kur një punonjëse grua e institucionit rrëzohet duke tentuar të mbrojë ligjin dhe detyrën e saj; dhe kur ai deputet largohet duke e lënë atë të shtrirë pa i dhënë as dorën, ne kemi përballë:
• Mizogjeni në formën e saj më të pafshehur, mospërfilljen e plotë të një gruaje si qenie njerëzore në momentin që ajo ka nevojë për ndihmë.
• Dhunë në vendin e punës ndaj një punonjëseje publike, të cilën ligji shqiptar e ndalon në mënyrë të prerë.
• Sjellje të papranueshme për një deputet, që është betuar t’i shërbejë Kushtetutës dhe institucioneve, jo t’i cenojë ato.
Nuk ka “urgjencë politike” dhe nuk ka “kauzë” që të justifikon që të lësh një grua të rrëzuar në shkallët e Kuvendit dhe të vazhdosh vrapin për një kamerë.
Ne, gratë socialiste, i kujtojmë Z. Shehaj dhe të gjithë klasës politike:
1. Askush nuk është mbi ligjin, sidomos kur ligji mbron një grua në vendin e saj të punës. Kërkojmë që Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën të trajtojnë me seriozitetin më të lartë incidentin ndaj këshilltares së Kuvendit.
2. Puna e administratës së Kuvendit, kryesisht e mbajtur mbi shpatullat e grave nuk është “pengesë” për politikanët populistë. Këto gra janë kolonat që mbajnë institucionin. Kush ngre dorë ose përdor forcën ndaj tyre, ngre dorë ndaj Kuvendit të Shqipërisë.
3. Një deputet që lë një grua përtokë dhe nuk kthehet, i detyrohet asaj publikisht një faljeje. Pa kushte. Pa “por”. Pa spote në televizion.
Mesazhi ynë për këshilltaren e lënduar
Të jesh e sigurt që nuk je vetëm. Ne, gratë socialiste, të Kuvendit dhe jashtë tij, të qëndrojmë krah. Dëmtimi yt nuk do të kalojë si një “detaj” në kronikën e ditës. Do të ndiqet, do të dokumentohet, do të mbrohet institucionalisht. Detyra që po kryeje ishte detyrë kushtetuese: mbrojtja e një dokumenti të klasifikuar të Republikës. Ti nuk u rrëzove për një letër. U rrëzove sepse dikush zgjodhi shfaqjen mbi njeriun.
Asnjë mandat politik nuk mund të jetë më i rëndësishëm se dinjiteti, siguria dhe respekti që i detyrohemi çdo gruaje që i shërben institucioneve të Republikës së Shqipërisë.
Në fund, populizmi që shkel mbi trupin e një gruaje për të fituar një video klip në rrjetet sociale nuk është alternativë politike. Është regresi më i thellë që mund t’i ndodhë një demokracie. Shqipëria e vitit 2026 nuk e meriton këtë. Gratë e Shqipërisë, qofshin në Kuvend, në administratë, në çdo vend pune nuk e meritojnë këtë.
Ne kërkojmë përgjegjësi. Kërkojmë falje publike ndaj këshilltares. Kërkojmë masë disiplinore dhe hetim penal, siç ka nisur tashmë Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Dhe, mbi të gjitha, kërkojmë që në Kuvendin e Shqipërisë të mos ketë kurrë më një burrë që ecën përpara duke lënë një grua përtokë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.