Ish-polici Shaqir Lutvija dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Prizren
Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 10 vjet burgim të akuzuarin Shaqir Lutvija, lidhur me akuzën për krime lufte në Prizren.
Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, dhe anëtarët Violeta Namani-Hajra dhe Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Krasniqi tha se në dënimin me burgim, të akuzuarit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë i vazhdohet deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, por jo më shumë sesa dënimi i shqiptuar.
I akuzuari obligohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale- 400 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Të dëmtuarit, për realizimin e kërkesës pasurore- juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh përmes kësaj Gjykate në Gjykatën e Apelit.
Prezent në sallë qenë prokurori Armend Zenelaj dhe i akuzuari Shaqir Lutvija me mbrojtësen e tij, avokaten Jovana Filipoviq.
Themelorja më 11 nëntor 2025 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Lutvija, duke e dënuar me 10 vjet burgim. Por, Gjykata e Apelit me vendimin e 23 qershorit 2026 e ktheu lëndën në rigjykim.
Në seancën fillestare të mbajtur më 17 shtator 2024, Lutvija u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohej se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.
Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J., dhe të lartcekurit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në Stacionin Policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.
Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore.
Me këtë, Lutvija akuzohej se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së. /BetimipërDrejtësi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.