Kaos tek Argjentina post-Messi/ Përplasjet me federatën, lojtarët big mund të lihen pushim
Argjentina do të grumbullohet për herë të parë pas finales së dhimbshme të Botërorit të fundit dhe lamtumirës së Lionel Messi-t. Trajneri Scaloni ka bërë listën paraprake, me emrat më të rëndësishëm, por Lautaro Martinez me shokë edhe mund të lihen pushim.
Në Buenos Aires mbizotëron kaosi dhe nuk është i sigurt grumbullimi i lojtarëve big për 3 miqësoret në program. Këtu bëjnë pjesë Lautaro Martinez, Julian Alvarez, Romero, Dibu, “Licha” Martinez, MacAllister dhe De Paul, gjithë “garda e vjetër”.
Shkaku ka të bëjë me Federatën Argjentinase të Futbollit, që po kalon një moment kaotik. Lojtarët e rëndësishëm presin të mësojnë çfarë do të ndodhë në vendin e tyre. Presidenti i federatës, Tapia, prej muajsh po përballet me një betejë delikate ligjore, me akuza nga të gjitha krahët, edhe në nivel ndërkombëtar, për riciklim parash.
Leo Messi është tërhequr dhe tek Argjentina asgjë nuk do të jetë si më parë. Trajneri Lionel Scaloni ka kontratë deri në dhjetor dhe e konsideron të mbyllur ciklin e tij. Tani vijnë miqësoret në këtë ndërprerje të parë ndërkombëtare “extra large”. Kundërshtarët janë modestë: Burkina Faso, Bolivia dhe Benini. Në mes është edhe homazhi magjik për Messi-n, por Leo nuk është i bindur plotësisht. Raportet me federatën janë te tensionuara, ndërkohë që një tjetër temë e nxehtë ka të bëjë me shpërblimet e lojtarëve për paraqitjet e fundit.
Për këto arsye, big-ët e Argjentinës që luajnë në Europë nuk janë shumë entuziastë për të shkuar në Argjentinë për të sfiduar tre kombëtaret që fillojnë me B, por asnjëra nuk është Brazili. Për të qetësuar ujërat Afa po mendon të lërë jashtë një numër domethënës lojtarësh, me në krye Lautaro Martinez. Situata pritet të qartësohet të hënën, me publikimin e listës zyrtare nga Scaloni.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.