Karakaçi: Do të krijojmë fond për eficiencën e energjisë për qytetarët dhe bizneset
Qeveria shqiptare ka miratuar tre marrëveshje me qeverinë gjermane, me një vlerë totale financimi prej 110 milionë eurosh, nga të cilat 20 milionë euro janë në formën e grantit.
Lajmin e bëri të ditur Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, pas mbledhjes së qeverisë, teksa shpjegoi tre projektet që do të financohen përmes këtyre marrëveshjeve.
“Kemi miratuar 3 marrëveshje me qeverinë gjermane me vlerë financimi total 110 mln euro, nga të cilat 20 mln janë grant. Projekti i parë lidhet me vijimin e rehabilitimit të konvikteve të studentëve nën programin e eficiencës energjetike. Vazhdojmë punë për 14 konviktet në vijim. Programi i dytë bën fjalë për rehabilitimin e hidrocentrarlit të Vaut të Dejës. I ndërtuar rreth 50 vite më parë, prodhon rreth 20% të prodhimit të KESH dhe me këtë investim i shtojmë jetëgjatësinë me 30 vite, por bëjmë edhe rehabilitimin e plotë. Programi i tretë është digjitalizimi i sistemeve të operatorit ët transmetimit. Bëhet fjalë për digjitalizimin e rreth 40 nënstacioneve”, tha ministri.
I pyetur nga gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani, se sa është interesi i qytetarëve për të përfituar nga programet e eficiencës së energjisë dhe cilat janë qytetet me numrin më të lartë të kërkesave, Karakaçi tha se interesi është i lartë.
“Ka shumë interes. Ne kemi përmbyllur 2 programet e para të eficiencës së energjisë elektrike për panelet diellore për ujin e ngrohtë, që kanë përfituar 4 mijë klientë familjarë dhe që janë realizuar brenda një kohe shumë të shkurtër”, deklaroi ministri.
Karakaçi bëri me dije se Agjencia e Eficiencës së Energjisë ka gjithashtu programe specifike për rehabilitimin e pallateve dhe ndërtesave në qytete të caktuara. Në fokus, sipas tij, është edhe krijimi i një fondi të posaçëm për eficiencën e energjisë, i cili pritet të vihet në funksion brenda këtij viti.
“Ka shumë interes. Ne kemi përmbyllur 2 programet e para të eficiencës së energjisë elektrike për panelet diellore për ujin e ngrohtë që kanë përfituar 4 mijë klientë familjarë dhe që janë realizuar brenda një kohe shumë të shkurtër. Ndërkohë Agjencia e Eficiensës së Energjisë Elektrike ka programe specifike për rehabilitimin e pallateve dhe ndërtesave në qytete të caktuara. Një ndër elementët që ne do përpiqemi ta kemi në fuqi brenda këtij viti, ku parashikojmë krijimin e një fondi të eficiencës së energjisë. Ky fond do ketë një vlerë të caktuar parash që do menaxhohet nga një bord specifik që do japi mbështetje për të gjithë qytetarët dhe bizneset për eficiencën e energjisë”, theksoi ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.