KPM paralajmëron gjoba dhe mundësinë e pezullimit të licencave për mediat me borxhe të papaguara
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka paralajmëruar masa të mëtejshme sanksionuese ndaj televizioneve dhe radiove të licencuara që kanë obligime financiare të papaguara.
KPM-ja ka bërë të ditur se, pas shqyrtimit të raporteve financiare, ka konstatuar se shuma e përgjithshme e borxheve të papaguara nga të licencuarit është “jashtëzakonisht e lartë”.
Sipas KPM-së, afati shtesë prej dy muajsh, i dhënë për shlyerjen e obligimeve është duke përfunduar.
“Periudha shtesë është një mundësi e fundit për të gjithë të licencuarit që të përmbushin detyrimet e tyre pa kaluar në fazën e masave të mëtejshme sanksionuese”, thuhet në njoftimin e KPM-së.
KPM ka rikujtuar se tarifa vjetore për licencë duhet të paguhet e plotë deri më 30 qershor të çdo viti. Ndërsa për mospagesën me kohë parashihen masa sanksionuese në përputhje me Ligjin për KPM-në.
Institucioni ka bërë të qartë se nuk do të lejohet ri-programimi i borxhit apo pagesa me këste, duke kërkuar që të gjitha detyrimet të shlyhen në tërësi brenda afatit të përcaktuar.
Për mediat që nuk i përmbushin obligimet edhe pas skadimit të afatit, KPM-ja paralajmëron gjoba në vlerë sa dyfishi i obligimeve vjetore të të licencuarit ndaj KPM-së.
“Në përputhje me vendimet e marra, masa e paralajmëruar për mospërmbushjen e obligimeve brenda afatit të dhënë është gjoba në vlerë sa dyfishi i obligimeve vjetore të të licencuarit ndaj KPM-së”, thuhet në njofrim.
Nëse mospërmbushja vazhdon, sipas KPM-së, mund të ndërmerren edhe masa të tjera, përfshirë pezullimin dhe marrjen e licencës, në pajtim me kushtet dhe procedurat e përcaktuara me ligj.
KPM-ja u ka bërë thirrje të gjithë të licencuarve me borxhe që të shfrytëzojnë ditët e mbetura për t’i shlyer obligimet dhe për të shmangur masat e mëtejshme.
“Respektimi i kushteve të licencës është detyrim, jo çështje vullneti”, thekson KPM-ja.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.