Marrëveshja për hua nga SHBA, Balla: Në shtator fillojmë lëvrimet e para
Kuvendi i Shqipërisë miratoi këtë të hënë, 27 korrik, marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila synon fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi këtë hapa si marrëveshjen më të madhe të mbështetjes financiare në 104 vite marrëdhënie diplomatike me SHBA-në.
Ai bëri me dije se procedurat u kaluan me përshpejtim nga qeveria, Kuvendi dhe Presidenti, duke treguar seriozitet maksimal për sigurinë kombëtare. Sipas Ballës, lëvrimet e para të fondit dhe disbursimi i mjeteve të nevojshme ushtarake pritet të fillojnë që në muajin shtator.
“Interesi kombëtar është i tillë, që një marrëveshje që forcon kapacitet mbrojtëse të Shqipërisë, për të cilat ne synojmë që, që në shtator të fillojnë lëvrimet e para të gjithçka që na duhet për të forcuar mbrojtjen tonë. Janë 302 milionë dollarë! Nëse do të bënim një bilanc historik të këtyre 35 viteve, në 104 vite marrëdhënie diplomatike me SHBA, kjo është mbështetja më e madhe që SHBA-të i japin Shqipërisë. Prandaj qoftë qeveria, qoftë Kuvendi, edhe Presidenti i Republikës treguar seriozitet maksimal me një procedurë të përshpejtuar, e rëndësishme është që në marrëdhënien tonë me SHBA kemi një marrëdhënie të fortë. Jam i bindur që kemi bërë gjënë e duhur.”
Ndërkohë, Balla kritikoi bojkotin e Partisë Demokratike gjatë votimit, duke theksuar se qëndrimi i opozitës nuk kishte të bënte me procedurat, por me linjën e saj politike.
Ai nënvizoi se për mazhorancën, siguria e çdo qytetari dhe mbrojtja e Shqipërisë si anëtare e NATO-s mbeten prioriteti kryesor.
“Arsyeja se persë PD bojkotoi votimin e kësaj marrëveshjeje nuk ka të bëjë fare me procedurat. Janë e njëjta parti politike që bojkotoi edhe votimin për marrjen pjesë të Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe janë e njëjta parti politike, që bojkoton votimin në Kuvend të kësaj marrëveshjeje politike. Nuk hezitoj ta quaj marrëveshje historike, sepse është e rëndësishme, sepse është një marrëveshje që forcon kapacitetet e sigurisë të Shqipërisë. Për ne, për këtë mazhornaca, siguria e çdo qytetari të Shqipërisë dhe siguria e vetë Shqipërisë si anëtar i NATO-s është më e rëndësishme se çdo aspekt tjetër.”
Drita e gjelbër u dha fillimisht nga qeveria ditën e premte, për t’u kurorëzuar menjëherë me votimin në parlament. Me hyrjen e saj në fuqi, kjo hua historike do të vihet tërësisht në shërbim të modernizimit të mbrojtjes sonë kombëtare.
“Marrëveshja është miratuar në qeveri ditën e premte dhe Kuvendi e votoi sot. Marrëveshja ka hyrë në fuqi dhe shpresoj që në shtator do të fillojë disbursimi. Kjo hua do të përdoret për të forcuar kapacitet mbrojtëse të Shqipërisë.”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.