Mbaron numërimi: LVV fiton zgjedhjet me 42.91%, PDK e dyta me 21.12% dhe LDK e treta me 17.58%
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e të gjitha kutive të votimit në nivel vendi për zgjedhjet parlamentare, me rezultatet e fundit që tregojnë Vetëvendosje mbetet forca e parë politike në Kosovë.
Tashmë janë procesuar 100 për qind të vendvotimeve në zgjedhjet parlamentare, duke ofruar një pasqyrë të plotë të rezultateve preliminare në nivel vendi.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, nga 2,498 vendvotime të procesuara (100 për qind), me pjesëmarrje prej 726,071 votuesish apo 37.05 për qind, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë forca e parë politike me 42.91 për qind të votave, respektivisht 299,152 vota.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.12 për qind ose 147,220 vota, ndërsa e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.58 për qind apo 122,575 vota.
Pas tyre vjen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7.16 për qind ose 49,917 vota, ndërsa Lista Serbe ka siguruar 6.18 për qind të votave, përkatësisht 43,071 vota.
Rezultatet tregojnë se LVV ka ruajtur epërsinë edhe në shtatë komunat më të mëdha të Kosovës.
Në Gjakovë, LVV ka fituar 48.72 për qind të votave, duke lënë pas AAK-në me 27.49 për qind, LDK-në me 12.38 për qind dhe PDK-në me 6.97 për qind.
Në Gjilan, LVV ka marrë 54.18 për qind të votave. Pas saj renditet LDK me 22.04 për qind, PDK me 14.91 për qind dhe AAK me 3.22 për qind.
Në Mitrovicë, LVV kryeson me 59.84 për qind, ndërsa PDK ka siguruar 27.05 për qind, LDK 8.88 për qind dhe AAK 1.82 për qind.
Edhe në Pejë, LVV ka dalë e para me 42.58 për qind të votave. LDK ka fituar 25.83 për qind, AAK 15.29 për qind dhe PDK 8.89 për qind.
Në Prishtinë, LVV ka marrë 48.90 për qind të votave, duke u pasuar nga LDK me 24.44 për qind, PDK me 19.05 për qind dhe AAK me 5.13 për qind.
Në Prizren, LVV ka siguruar 44.07 për qind të votave. PDK renditet e dyta me 22.12 për qind, ndërsa LDK ka marrë 12.51 për qind dhe AAK 3.05 për qind.
Ndërsa në Ferizaj, LVV ka fituar 53.81 për qind të votave, duke lënë pas PDK-në me 24.76 për qind, LDK-në me 14.82 për qind dhe AAK-në me 2.64 për qind.
Megjithëse procesimi i vendvotimeve ka përfunduar në tërësi, rezultatet mbeten preliminare deri në numërimin dhe verifikimin e plotë të votave me kusht, votave të diasporës dhe procedurave të tjera të parapara nga KQZ.
Zgjedhjet e 7 qershorit erdhën si pasojë e mosmarrëveshjeve për zgjedhjen e presidentit, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.
Ato ishin të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë – pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë të parakohshme më 28 dhjetor.
Të parat dështuan të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave – shumicën më të madhe në Kosovën e pavarur – nuk siguruan marrëveshje për presidentin, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Vetë Osmani, e cila ishte kandidate e LDK-së për këtë post në zgjedhjet e 7 qershorit, tha se LVV-ja nuk ka asnjë arsye për ta refuzuar emrin e saj për postin e presidentes.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.