☀️
Tiranë 23°C · Kthjellët 15 July 2026
S&P 500 7,544 ▲0.38%
DOW 52,508 ▲0.02%
NASDAQ 26,107 ▲0.9%
NAFTA 79.73 ▲0.49%
ARI 4,033 ▼0.91%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1419 EUR/GBP 0.8529 EUR/CHF 0.9248 EUR/ALL 93.7745 EUR/MKD 61.6035 EUR/RSD 117.3733 EUR/TRY 53.7160 EUR/JPY 185.21 EUR/CAD 1.6066 EUR/USD 1.1419 EUR/GBP 0.8529 EUR/CHF 0.9248 EUR/ALL 93.7745 EUR/MKD 61.6035 EUR/RSD 117.3733 EUR/TRY 53.7160 EUR/JPY 185.21 EUR/CAD 1.6066
₿ CRYPTO
BTC $64,644 ▲ +2.85% ETH $1,872 ▲ +4.54% XRP $1.1001 ▲ +2.61% SOL $77.6800 ▲ +2.97%
S&P 500 7,544 ▲0.38 % DOW 52,508 ▲0.02 % NASDAQ 26,107 ▲0.9 % NAFTA 79.73 ▲0.49 % ARI 4,033 ▼0.91 % S&P 500 7,544 ▲0.38 % DOW 52,508 ▲0.02 % NASDAQ 26,107 ▲0.9 % NAFTA 79.73 ▲0.49 % ARI 4,033 ▼0.91 %
EUR/USD 1.1419 EUR/GBP 0.8529 EUR/CHF 0.9248 EUR/ALL 93.7745 EUR/MKD 61.6035 EUR/RSD 117.3733 EUR/TRY 53.7160 EUR/JPY 185.21 EUR/CAD 1.6066 EUR/USD 1.1419 EUR/GBP 0.8529 EUR/CHF 0.9248 EUR/ALL 93.7745 EUR/MKD 61.6035 EUR/RSD 117.3733 EUR/TRY 53.7160 EUR/JPY 185.21 EUR/CAD 1.6066
15 Jul 2026
Breaking
Politika

Mbrotja e të miturve në internet, Kuko: Platformat dixhitale të mbajnë përgjegjësi ligjore për përmbajtjen e dëmshme

Deputetja e Partisë Socialiste, Romina Kuko, gjatë fjalës në seancën plenare mbi punën e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), theksoi se rekomandimet e paraqitura do të kontribuojnë në përmirësimin e kuadrit rregullator për mediat.

Ajo nënvizoi se sfida më e madhe sot nuk lidhet më vetëm me mediat tradicionale, por me hapësirën dixhitale, ku, diskursi publik ka kaluar në agresion të hapur dhe kërkon përgjigje ligjore e institucionale.

Deputetja e majtë tha se mbrojtja e fëmijëve në internet duhet të trajtohet me të njëjtin seriozitet si mbrojtja e shëndetit të tyre fizik.

“Ne kontrollojmë cilësinë e ushqimit që hamë, ajrin që thithim, ujin që pimë. Çdo gjë që hyn në trupin e fëmijëve tanë e kemi rregulluar me ligj e me institucion mbikëqyrës. Por mbi atë që ushqen mendjen e tyre çdo ditë, çdo orë, sot s’kemi asnjë kontroll,” u shpreh Kuko.

Ajo theksoi se, krahas edukimit, është e domosdoshme që përgjegjësia të vendoset mbi platformat dixhitale, duke kërkuar përshpejtimin e transpozimit të Digital Services Act në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian dhe ngritjen e një Koordinatori Kombëtar të Shërbimeve Dixhitale.

Sipas saj, mungesa e detyrimeve ligjore për platformat krijon terren për përhapjen e profileve të rreme, rrjeteve të trollëve dhe fushatave të koordinuara të dezinformimit.

“Kjo është armë e luftës hibride online, dhe përgjegjësia për të është e vetë platformave. Ligji duhet ta thotë këtë qartë, jo ta lërë në duart e proceseve gjyqësore që zgjasin me vite, ndërkohë që dëmi tashmë është bërë,” deklaroi ajo.

Deputetja iu referua edhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se portalet online kanë detyrim ligjor të moderojnë komentet që nxisin dhunë apo përmbajnë thirrje ekstremiste.

“Hapni sot cilindo portal me lajme kontroversiale dhe shikoni se çfarë ndodh te komentet poshtë artikullit: njerëz me qëndrime të forta dënohen çdo ditë me ‘vdekje karakteri’, me linçim publik të organizuar, sistematik, të pandëshkuar. Dhe përgjegjësia për këtë s’shkon vetëm te komentuesi anonim. Shkon edhe te vetë platforma që e lejon, e nuk e moderon, sepse çdo klikim shtesë i sjell fitim,” evidentoi socialistja.

Duke u ndalur te mbrojtja e të miturve, ajo solli të dhëna që tregojnë rritjen e rasteve të dhunës online ndaj fëmijëve, duke theksuar se fenomeni kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

“Statistikat s’lënë vend për debat: sipas Policisë së Shtetit, rastet e referuara të dhunës online kundër fëmijëve u shtuan nga 122 në vitin 2021 në 461 në vitin 2024. Vetëm te iSIGURT.al, gjatë vitit 2025, u raportuan 615 raste, 46% më shumë se një vit më parë, ku 71% e viktimave ishin vajza dhe 82% e rasteve lidhen me TikTok,” tha deputetja.

Në këtë kuadër, Kuko propozoi që marrëveshja ekzistuese mes operatorëve të telefonisë për mbrojtjen e fëmijëve të marrë forcë ligjore, duke i dhënë një rol të qartë AKEP-it.

“Propozoj konkretisht: numrat e përdorur nga të miturit të regjistrohen nën një regjistër të veçantë, me internet të kufizuar sipas moshës, duke ruajtur privatësinë e regjistrit, por si detyrim ligjor për prindërit, jo si opsion,” u shpreh ajo.

Në përfundim të fjalës, Romina Kuko tha se liria e shprehjes mbetet një vlerë themelore demokratike, por nuk mund të përdoret si justifikim për dhunë të organizuar dhe abuzim në hapësirën dixhitale, duke nënvizuar se përgjegjësia duhet të bjerë jo vetëm mbi individët, por mbi të gjitha mbi platformat që administrojnë dhe përfitojnë nga këto hapësira.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.