PDK para shpalljes së aktgjykimit në Hagë: Kosova pret drejtësi, do ta mbrojmë të vërtetën për luftën e UÇK-së
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka deklaruar se kanë mbetur edhe rreth 18 orë deri në shpalljen e një prej aktgjykimeve më të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Në një konferencë për media, Gruda tha se PDK-ja gjatë gjithë këtyre viteve ka besuar se do të ketë drejtësi dhe se pret që vendimi të bazohet në prova dhe standarde të barabarta.
“Kanë mbetur edhe rreth 18 orë deri në shpalljen e njërit prej aktgjykimeve më të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët tanë. Si PDK, gjatë gjithë këtyre viteve kemi besuar se do të ketë drejtësi dhe nesër Kosova pret drejtësi”, tha Gruda.
Ai u shpreh se vendimi duhet të jetë i bazuar në prova dhe në të vërtetën.
“Presim një vendim të bazuar në prova, me standarde të barabarta dhe me të vërtetën. Presim një vendim që sjell drejtësi, qetësi dhe që respekton realitetin historik që ne si popull e kemi jetuar”, deklaroi ai.
Gruda theksoi se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, duke kujtuar dhunën dhe krimet e kryera gjatë luftës.
“Për dekada kemi përjetuar dhunën, dëbimet, vrasjet dhe krimet e kryera ndaj popullit tonë. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, dihet kush ishte agresori e kush ishte viktima”, tha deputeti i PDK-së.
Ai shprehu shpresën se aktgjykimi do të sjellë festë dhe se, sipas tij, çlirimtarët do të kthehen në atdhe.
“Nesër presim të ketë festë, që drejtësia të triumfojë dhe çlirimtarët të kthehen në atdheun e tyre”, u shpreh Gruda.
Deputeti i PDK-së deklaroi se partia e tij beson në pafajësinë e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
“Besojmë fuqishëm në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit”, tha Gruda.
Megjithatë, ai paralajmëroi se PDK-ja do të reagojë nëse, sipas tij, përballet me një vendim të padrejtë.
“Nëse përballemi me padrejtësi, nuk do të heshtim dhe nuk do të dorëzohemi para saj. Do ta kundërshtojmë me vendosmëri, me argumente, me të gjitha mjetet juridike dhe demokratike që kemi në dispozicion”, deklaroi ai.
Gruda tha se lufta e UÇK-së nuk duhet të vendoset në të njëjtin plan me politikën shtetërore të regjimit serb.
“Ne nuk mund të pranojmë që lufta e UÇK-së të vendoset në të njëjtin plan me politikën shtetërore të agresorit, të regjimit serb”, tha ai.
Në fund, Gruda iu bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë dhe aktorëve politikë në Kosovë që të tregojnë maturi.
“Partnerëve ndërkombëtarë dhe miqve tanë u kërkojmë drejtësi të bazuar në prova, standarde evropiane dhe në të vërtetën historike të Kosovës”, tha Gruda.
Ai gjithashtu tha se PDK-ja i ka përcjellë me shqetësim disa reagime publike të ditëve të fundit, të cilat, sipas tij, kanë krijuar ankth të panevojshëm te qytetarët.
“Të gjithë akterët politikë duhet të tregojnë maturi dhe kujdes”, përfundoi Gruda.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.