Premtonin zgjidhje me pronat në Kadastër, dy gra përfituan mbi 100 mijë euro nga qytetarët
Premtonin zgjidhje me pronat në Kadastër, dy gra në Tiranë përfituan mbi 100 mijë euro nga qytetarët
Një skemë e dyshuar mashtrimi me çështje pronësore është zbuluar në Tiranë, ku dy gra dyshohet se kanë përfituar mbi 100 mijë euro nga qytetarë të ndryshëm, duke u premtuar se mund të ndërhynin në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për t’u zgjidhur problemet me pronat.
Në qendër të hetimit është S. D., 58 vjeçe, e cila është arrestuar, ndërsa bashkëpunëtorja e saj e dyshuar, S. N., 27 vjeçe, po hetohet në gjendje të lirë.
Sipas të dhënave paraprake, 58-vjeçarja dyshohet se u premtonte qytetarëve se kishte njohje në Kadastër dhe se mund t’u zgjidhte çështjet pronësore, kundrejt pagesave të konsiderueshme.
Në disa raste, qytetarët dyshohet se janë pajisur edhe me dokumente false, të paraqitura si dokumentacion zyrtar për çështjet e tyre pronësore.
Hetimi nisi pasi gazetarët e emisionit investigativ “STOP” morën denoncime nga qytetarë që pretendonin se ishin mashtruar dhe se kishin marrë dokumente të falsifikuara.
Nga veprimet e deritanishme dyshohet se dy gratë, përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, kanë përfituar në total mbi 100 mijë euro.
Gjatë kontrolleve është sekuestruar një shumë parash në euro, e dyshuar se është përfituar nga kjo veprimtari, disa certifikata të dyshuara të falsifikuara dhe dy telefona celularë.
Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka qytetarë të tjerë të mashtruar dhe raste të tjera të ngjashme.
Çështja po hetohet për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.