“Rilindja 2.0”, Demo: Deri në vitin 2030, 150 milionë euro investime për menaxhimin e mbetjeve dhe…
Ministri i Shtetit për Qeverisjen Vendore, Ervin Demo, mori pjesë në eventin “Rilindja 2.0”, ku prezantoi prioritetet dhe investimet strategjike për zhvillimin vendor në vitet e ardhshme.
Gjatë fjalës së tij, ministri Demo theksoi se menaxhimi i mbetjeve mbetet një nga sfidat më të rëndësishme për qeverisjen vendore, duke nënvizuar se sektori kërkon investime të konsiderueshme për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme dhe garantimin e mbulimit 100% të territorit.
“Menaxhimi i mbetjeve është një sektor që kërkon investime të mëdha, dhe aq më tepër kur flasim për të gjithë infrastrukturën. Jemi të vetëdijshëm sesa i rëndësishëm është mbulimi i territorit 100% nga pikëpamja e menaxhimit ët mbetjeve. Po merr edhe më shumë prioritet për dy arsye. Truizmi ka krijuar një dritare ku çdo cep i Shqipërisë është i vizitueshëm, kjo nënvizon edhe më shumë rëndësinë që ka mbulimi i territorit, por kjo kërkon kosto dhe infrastrukturë. Por duhet t’i japim një përgjigje këtij problemi, një përgjigje përfundimtare sfidës së menaxhimit ët mbetjeve. Ne projektojmë që deri në 2030 do të jenë 150 mln euro dhe ne do punojmë me bashkitë dhe kjo kërkon proaktivitet nga të gjitha bashkitë”, tha ai.
Një tjetër prioritet i prezantuar ishte zhvillimi i transportit të gjelbër në nivel vendor. Ministri bëri të ditur se janë alokuar 13 milionë euro për ngritjen e një programi të ri, i cili synon të përmirësojë transportin urban dhe ndërurban, veçanërisht në bashkitë me flukse të larta turistike.
Sipas tij, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të mbështesë financiarisht këtë proces, ndërsa administrimi i shërbimit do të jetë në përgjegjësinë e bashkive, të cilat do të kenë mundësi të krijojnë kompanitë e tyre për ofrimin e një transporti modern, cilësor dhe miqësor me mjedisin.
“Transporti i gjelbër. Të gjitha bashkitë që kanë flukse turistike të larta, e dimë sesa problem është transporti urban dhe interurban. Sot janë 13 mln euro të alokuara për të ndërtuar një program të ri për të dhënë një zgjidhje. Bashkitë duhet të luajnë një rol sa i përket zhvillimit të një modeli të ri për ofrimin e këtij zhvillimi. Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të jetë aty për të mbështetur bashkitë. Administrimi do të jetë në duart e bashkive, do kenë mundësi të krijojnë kompanitë e tyre për të krijuar një shërbim që bazohet në cilësi, standarde dhe në transportin e gjelbër. Transporti urban është një instrument për të krijuar një zhvillim lokal, duke u mbështetur te sektori i turizmit”, theksoi ministri.
Në fjalën e tij, Demo u ndal edhe te sektori i ujësjellësve dhe trajtimit të ujërave të ndotura, duke e cilësuar atë si një sfidë të trashëguar prej dekadash. Ai bëri të ditur se aktualisht janë në zbatim projekte me vlerë mbi 100 milionë euro, ndërsa deri në vitin 2030 do të nevojiten investime të mëtejshme për t’i dhënë një zgjidhje afatgjatë këtij problemi.
Sa i përket forcimit të kapaciteteve logjistike të bashkive dhe zhvillimit të infrastrukturës bujqësore, ministri njoftoi nisjen e procedurave për një fond prej 20 milionë eurosh, të siguruar me mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe. Ky financim do të mundësojë pajisjen e bashkive me mjete moderne, të cilat do të shërbejnë si për mirëmbajtjen e infrastrukturës rurale dhe bujqësore, ashtu edhe për përballimin e situatave emergjente.
Demo theksoi se për infrastrukturën bujqësore janë tashmë gati projekte me vlerë 94 milionë euro, ndërsa nevojat reale të territorit kërkojnë investime edhe më të mëdha në vitet në vijim.
“Ujësjellësit dhe trajtimi i ujërave të ndotura është një problem që na ka shoqëruar gjatë 35 viteve, pavarësisht investimeve ku ne sot kemi mbi 100 mln euro projekte që janë duke u implenetuar, por ky sektor kërkon mbështetje më të madhe deri në 20230 për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare këtij problemi. kur flasim për kapacitete logjistike në nivel vendor dhe infrastrukturën bujqësore, procedurat sa i përket mjeteve që do t’i vihen në dispozicion bashkive ka filluar, janë plot 20 mln euro, një fond që ka ardhur si mbështetje nga Emiratet e Bashkuara. Do të krijojnë jo thjesht dhënien përgjigje sa i përket nevojave në infrastrukturën bujqësore dhe rurale, por edhe një flotë për t’ju përgjigjur emergjencave. Për infrastrukturën bujqësore janë 94 mln euro projekte që janë gati, por nevoja është shumë më e madhe”, deklaroi ministri.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.