Serwer: Specialja kriminalizoi një lëvizje çlirimtare që amerikanët dhe evropianët e mbështetën
Analisti dhe profesori i Universitetit Johns Hopkins në Uashington, Daniel Serwer, ka reaguar ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një shkrim të publikuar në blogun e tij, Serwer e ka cilësuar vendimin si të padrejtë, duke kritikuar jo vetëm aktgjykimin, por edhe vetë mënyrën e krijimit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Sipas tij, Gjykata Speciale e ka dënuar Thaçin me 25 vjet burgim për krime lufte, ndërsa e ka shpallur të pafajshëm për krime kundër njerëzimit. Serwer thekson se në të njëjtin moment, në Serbi, Aleksandar Vuçiq po largohet nga posti i presidentit për t’i paraprirë kufizimit të mandatit dhe për t’u rikthyer si kryeministër, ndërsa Serbia i ka bërë nderime të larta Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
“Kontrasti është i vështirë të mos vërehet. Një president i Kosovës, i cili ishte përpjekur të mbronte bashkëqytetarët e tij nga shtypja serbe, është në burg. Serbia po fuqizon një politikan që shërbeu në qeverinë që sulmoi civilët në Kosovë dhe po nderon autorin e krimeve edhe më të rënda në Bosnje”, ka shkruar Serwer.
Serwer argumenton se Gjykata Speciale u krijua si rezultat i presionit të fortë amerikan dhe evropian ndaj Kosovës dhe Hashim Thaçit, përmes një amendamenti kushtetues.
Ai thotë se, ndonëse ligjërisht është gjykatë e Kosovës, në thelb nuk është e tillë, pasi stafi i saj është ndërkombëtar.
Sipas tij, gjykata u krijua fillimisht për të shqyrtuar pretendimet për trafikim organesh të përfshira në raportin e Këshillit të Evropës, por nuk gjeti prova për t’i mbështetur ato dhe më pas u përqendrua në pretendime të lidhura me inteligjencën serbe.
“Disa nga akuzat ndaj luftëtarëve të UÇK-së janë pa dyshim të vërteta. Por unë nuk besoj se Thaçi kishte autoritet komandues mbi forcat që kryen krimet”, ka deklaruar Serwer.
Ai shton se këtë bindje e ka krijuar jo vetëm nga dëshmitë e amerikanëve që kishin njohuri për situatën dhe dëshmuan në gjykimin e Thaçit, por edhe nga një bisedë që kishte zhvilluar me të pas luftës, në prani të një luftëtari të UÇK-së.
“Roli i tij ishte i kufizuar në atë të zëdhënësit politik të UÇK-së. Ai nuk ishte luftëtar apo komandant”, ka shkruar profesori amerikan, duke paraqitur këtë si vlerësimin e tij personal për rolin e Thaçit gjatë luftës.
Serwer ka kritikuar edhe shpenzimet e Gjykatës Speciale, duke thënë se vendet evropiane kanë investuar 200 milionë euro në të.
Sipas tij, Serbia kishte ushtruar presion ndaj amerikanëve dhe evropianëve, duke pretenduar se ishte e padrejtë që Tribunali i Hagës kishte dënuar kryesisht serbë për krimet në Bosnje dhe Kosovë.
Ai thekson se serbët kishin kryer pjesën më të madhe të krimeve në këto dy luftëra.
“Amerikanët mund të kishin tentuar dikur t’i shpëtonin udhëheqësit e UÇK-së nga padrejtësia, ose të paktën të pengonin varrimin e Mlladiqit me nderime. Por tani ata i kanë harruar të drejtat e njeriut. Ata përqendrohen tërësisht në interesat e tyre të ngushta”, ka shkruar Serwer.
Ai ka shtuar se, në mënyrë ironike, Thaçi, si kryeministër dhe president, ishte shumë më miqësor ndaj këtyre interesave sesa kryeministri aktual i Kosovës, pa e specifikuar më tej këtë vlerësim.
Duke folur për zhvillimet e ardhshme, Serwer ka thënë se Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së do të apelojnë vendimet, ndërsa procesi mund të zgjasë me vite.
Ai ka paralajmëruar se gjatë kësaj kohe të dënuarit mund të mbeten në paraburgim, ashtu siç ndodhi gjatë pesë viteve para shpalljes së aktgjykimit.
“Me pak fat, dënimet mund të reduktohen”, ka shkruar ai, duke shtuar se asnjë vend në të ardhmen nuk do të duhej të krijonte një gjykatë ndërkombëtare të këtij lloji pa ruajtur mundësinë për ta shfuqizuar atë.
Sipas Serwerit, Kosova nuk e ka këtë mundësi, pasi ndryshimi kushtetues do të kërkonte bashkëpunimin e deputetëve serbë, i cili, sipas tij, nuk do të ofrohet.
Serwer ka vlerësuar se shumë shqiptarë në Kosovë do ta konsiderojnë rezultatin e gjykimit të padrejtë dhe mund të protestojnë.
Megjithatë, ai ka bërë thirrje që protestat të jenë paqësore.
“Dhuna nuk do të fitojë asgjë”, ka shkruar ai, duke shtuar se edhe serbët mund ta mirëpresin aktgjykimin, por se edhe në atë rast dhuna nuk do të sjellë asgjë.
Në përfundim, profesori amerikan ka kritikuar Shtetet e Bashkuara dhe Evropën për atë që e konsideron kriminalizim të një lëvizjeje çlirimtare që e kishin mbështetur.
“Ata e kanë kriminalizuar një lëvizje çlirimtare që e mbështetën dhe e kanë reduktuar drejtësinë ndërkombëtare në hakmarrje politike”, ka shkruar Serwer.
Ai e përmbyll shkrimin me një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj Gjykatës Speciale:
“Nuk është vetëm aktgjykimi i padrejtë. Është vetë gjykata”, ka shkruar tutje Serwer./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.