Shkaktuan dy zjarre në Durrës, 3 të dyshuar si piromanë në pranga! U shkrumbuan dhjetëra hektarë me pemëtari, njëri aks
Policia e Durrësit njoftoi sot (5 shtator) se ka zbardhur dy raste piromanie dhe vuri në pranga 3 persona të dyshuar për ndezjen e vatrave të zjarreve në qark ditët e fundit.
“Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimeve për dy raste zjarri në territorin e Durrësit, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe shkuan në ndihmë të shërbimeve zjarrfikëse për vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve”, tha policia.
Policia sqaroi për rastin e parë se:
“Në lidhje me zjarrin e rënë në një sipërfaqe toke bujqësore në fshatin Ishëm, nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasit I. R., 48 vjeç, dhe R. J., 59 vjeç, banues në Sukth, Durrës, gjatë kohës që ndodheshin në banesën e shtetasit S. L., në fshatin Ishëm, duke prerë tuba hekuri me gur fresibël, dyshohet se, si pasojë e shkëndijave të krijuara, kanë shkaktuar zjarrin”.
Zjarri më pas është përhapur në sipërfaqen bujqësore përreth, duke përfshirë dhjetëra hektarë tokë, qindra pemë frutore dhe ullinj.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. R. dhe R. J., për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
“Gjithashtu, u identifikua dhe u arrestua shtetasi Sh. D., 44 vjeç, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Rreth, Shijak, ku, si pasojë, janë djegur tela të rrjetit elektrik dhe sipërfaqe me bimësi”, tha policia.
Materialet procedurale për të dyja rastet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “shkatërrimi i rrjetit elektrik”.
“Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos kryejnë veprime që mund të shkaktojnë zjarre, të cilat mund të sjellin pasoja të rënda për jetën dhe pronën e qytetarëve. Në mënyrë të veçantë, Policia apelon për banorët që djegin mbetjet bujqësore apo pastrojnë territorin nëpërmjet djegies, që të mos kryejnë veprime të tilla, pasi do të përballen me përgjegjësi ligjore”, apeloi policia vendore.
Policia fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.