Sot dita e 16-të e protestës, qytetarët pritet të mblidhen sërish para Kryeministrisë
Protesta në Bulevardin Qendror të Tiranës hyn sot në ditën e saj të 16-të, me qytetarë dhe aktivistë që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Mbrëmjen e ditës së 15-të, protesta u zgjat si asnjëherë më parë, duke shkuar në afro 7 orë deri në mëngjes, me protestuesit që marshuan drejt aeroportit të Rinasit, por që u ndalën nga policia.
Protesta që nisi fillimisht si reagim kundër projektit turistik në zonën e Pishë Poros dhe Sazanit, ka hyrë sot në ditën e dhjetë të saj. Lëvizja u zhvillua pas kundërshtimeve ndaj investimit të planifikuar në zonë të mbrojtur dhe më pas u zgjerua në një mobilizim më të gjerë qytetar.
Gjatë ditëve të protestës, qytetarët kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: largimin e qeverisë, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Në tubimet e zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera janë dëgjuar gjithashtu thirrje kundër të gjithë klasës politike.
Organizatorët kanë njoftuar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.
Ndërkohë, Komisioni Europian ka deklaruar se po ndjek nga afër zhvillimet në zonën Pishë Poro–Nartë dhe se i ka përcjellë shqetësimet Ministrisë së Mjedisit lidhur me mangësitë e mundshme të projektit. Zëdhënësi Guillaume Mercier bëri të ditur se punimet janë pezulluar dhe se pritet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimit në mjedis, në konsultim me shoqërinë civile.
Ndersa për këtë çështje, SPAK ka nisur gjithashtu një hetim, teksa ka bllokuar llogaritë bankare të pronarëve të tokës, duke vendosur sekuestro për shumën prej 195 milionë dollarësh, e transferuar drejt tyre nga vëllezërit nga Katari.
Ndërkohë, organi i akuzës po verifikon edhe një sërë vendimesh gjyqësore që lidhen me titujt e pronësisë, ndërsa thuhet se konfliktet ligjore mbi pretendimet për sipërfaqet e tokave vijojnë të mbeten ende të hapura.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të hënë në lidhje me debatet e krijuara rreth protestës për projektin në zonën e Nartës, duke shpërndarë në rrjetet sociale komentin e një vajze nga Vlora.
Në postimin e tij, Rama shprehet se po e publikon komentin si një shenjë solidariteti ndaj të resë, e cila sipas tij është sulmuar në rrjet për shkak të mendimit të saj kundër protestës.
“Këtë koment nga kjo faqe po e postoj si shprehje solidariteti me një vajzë vlonjate që nuk e njoh, të cilën për shkak se nuk beson tek protesta e kanë masakruar online korbat e fshehur nën pupla flamingosh… RESPEKT”, shkruan Rama.
Në komentin e saj, vajza nga Vlora shpreh mosdakordësinë me protestën, duke thënë se nuk e kupton thelbin e saj dhe duke argumentuar se të rinjtë nuk kanë reaguar me të njëjtin angazhim për çështje të tjera sociale, si dhuna në familje apo rastet e shqiptarëve në burgjet jashtë vendit.
Ajo vlerëson gjithashtu ndryshimet që, sipas saj, kanë ndodhur në vend gjatë viteve të fundit në aspektin e pagave, kushteve të punës, sigurisë dhe funksionimit të drejtësisë, ndërsa shprehet kundër kërkesave për dorëheqjen e kryeministrit.
Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetet sociale një replikë në distanë me një protestues të cilin e cilëson atipik.
Teksa ka publikuar komentin e protestuesit në faqen e tij, Rama shprehet se vlerëson etikën me të cilën ai shpreh qëndrimin e tij kundër.
“Replikë në distancë me një protestues
Në çdo faqe, do të gjeni çfarë më shkruan dhe si i përgjigjem këtij protestuesi atipik, i cili mendon ndryshe nga unë po nuk shan, nuk akuzon, nuk deliron online.
Respekte për etikën”, shkruan Rama.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, në zbatim të masës së sigurisë të vendosur ndaj tij nga GJKKO, lidhur metë dosjen hetimore të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Jashtë ambienteve të SPAK-ut, Berisha ka dhënë një prononcim për mediat, ku u pyet edhe në lidhje me thirrjet që po bëhen në protestë: “Rama në burg, Berisha në burg”. Kreu i Partisë Demokratike u shpreh se të rinjtë nuk duhet të ndikohen nga sllogani i “opozitës së opozitës”, ku dhe theksoi se kryeministri Rama duhet të gjykohet për gjenocid.
“Kjo është opozita e opozitës që mendon tani se në këtë mënyrë, duke luftuar opozitën e vërtetë, do mund të zëvendësojë atë, por opozita s’i ka zënë vendin askujt.
Ndaj dhe i ftoj qytetarët, të rinjtë, demokratët të marrin pjesë sa më masivisht në këtë protestë, të mos ndikohen nga një slogan i opozitës së opozitës, i cili për hir të së vërtetës është i dy-tre sorosianëve. Të jemi të mirëkuptuar. Jo, s’ka nevojë t’i emëroj unë, i gjeni vetë aty.
Ndaj dhe unë përshëndes shumë përzemërsisht ata qindra-mijëra qytetarë dhe të rinj, të cilët në fakt po çlirojnë këtë vend nga diktatura më e shëmtuar, në disa aspekte edhe më e dëmshme sesa ajo e totalitarizmit, sepse kjo ka përzënë 1 milion e 300-400 mijë shqiptarë në 10 vite.
Dhe ky është një dëm i tmerrshëm, që do të kërkojë të paktën minimumi 40 vite në një kurs normal për t’u kompensuar. Danë dhe për këtë, Edi Rama… ky është një gjenocid i mirëfilltë. Gjenocid i mirëfilltë sipas konventës së OKB-së dhe Edi Rama meriton të gjykohet për gjenocid”, u shpreh ai.
Teksa në qytete të tjera qytetarët kanë zgjedhur të ngrejnë zërin, në Prrenjas heshtja mbizotëroi. I vetëm në shesh, pjesëmarrësi i vetëm i protestës ironizoi mungesën e reagimit qytetar me fjalët:
“Nëse ju pyesin nga ishin Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Petrit Blloshmi, mos u tregoni që ishin nga këto anë.”
Një mesazh i fortë që vjen nga një protestë edhe më e fortë në simbolikë, një qytetar i vetëm përballë indiferencës së një qyteti të tërë.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e një dite më parë që u zhvendos drejt aeroportit të Rinasit.
Përmes një postimi të gjatë në rrjetin X Rama përsëriti faktin se sipas tij kjo protestë po dëmton imazhin e vendit dhe turizmin ndërsa theksoi se të vetmit përfitues nga kjo protestë janë qeveria dhe PS.
Përmes një postimi në X Rama shprehet se bllokimi i mijëra njerëzve në lëvizjen e tyre të lirë bart doza të mëdha ekstremizi, ndërsa bën thirrje që të rinjtë të shkëputen sa më parë nga mendjet e liga që kanë marrë në dorë protestën.
“Kjo protestë, e cila arrin dhe degradon në një turmë të drejtuar nga mendje të liga dhe duar të liga drejt rrugës së aeroportit, duke bllokuar mijëra njerëz natën në lëvizjen e tyre të lirë, mbart brenda saj pikërisht atë të keqe të madhe të ekstremizmit që frymëzon ngacmimin online dhe prish me kazma ritmin e jetës për shumicën. 4. Keqardhje për të rejat dhe të rinjtë e zhgënjyer nga marshimi budalla drejt Rinasit me shijen e lirisë dhe pavarësisë së tyre dhe në emër të një revolucioni imagjinar, derisa vetë e kuptuan se çfarë budallallëku kishin bërë duke ndjekur të infiltruarit nga forca shkatërruese, brenda ose jashtë, të cilat po bëjnë gjithçka që munden për ta dëmtuar sa më shumë Shqipërinë. Shpresoj që të zgjohen sa më shpejt të jetë e mundur nga kjo zgjedhë dhe të shkëputen një orë më parë nga mendjet e liga dhe duart e liga që tani kanë marrë kontrollin e protestës”, shkruan Rama veç të tjerash në X.
Pas tubimit në qendër të Tiranës, protestuesit kanë marshuar rreth 20 kilometra, duke bllokuar rrugën që të çon drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit.
Rreth orës 01:40, ata janë ndaluar nga një kordon i forcave të policisë, i vendosur disa qindra metra larg aeroportit.
Policia nuk ka lejuar vijimin e marshimit më afër zonës së aeroportit. Në terren ishin Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët kanë përdorur disa makina të uniformave blu për të bllokuar kalimin e protestuesve drejt aeroportit.
Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas konsiderohet objekt i rëndësisë së veçantë për sigurinë publike dhe infrastrukturën kritike të vendit.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.