Vjeshta shuan flakët! “Mbrojtja”: Asnjë vatër aktive. U fikën zjarre në Dibër, Lezhë, Elbasan…
Situata e zjarreve në vend paraqitet e qetë, pasi gjatë 24 orëve të fundit janë shuar të gjitha 10 vatrat e raportuara.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se aktualisht nuk ka asnjë vatër aktive apo nën mbikëqyrje. Zjarret janë shuar në qarqet Dibër, Lezhë, Elbasan, Gjirokastër dhe Fier, falë angazhimit të forcave zjarrfikëse, bashkive, policisë, shërbimit pyjor dhe Forcave të Armatosura.
Në operacione janë angazhuar 174 forca operacionale dhe 14 automjete zjarrfikëse, ndërsa FA kanë mbështetur me 27 efektivë, tre mjete dhe një ambulancë.
Ndërhyrjet janë fokusuar në izolimin dhe shuarjen e vatrave, duke parandaluar përhapjen e flakëve në zona të banuara dhe sipërfaqe me bimësi. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, ndërsa strukturat mbeten në gatishmëri për çdo emergjencë.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes
Ministria e Mbrojtjes – përditësim mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit
Raport i situatës së zjarreve – 13.09.2026, ora 09:00
Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e vendit janë raportuar 10 vatra zjarri, të cilat janë shuar plotësisht. Aktualisht nuk ka vatra aktive dhe as vatra nën mbikëqyrje.
Për menaxhimin dhe shuarjen e vatrave janë angazhuar në total 174 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 14 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 27 efektivë, 3 mjete dhe 1 ambulancë.
Në Qarkun Lezhë, vatra në fshatin Gallatë, Bashkia Kurbin, e ardhur nga territori i Bashkisë Mat, rezulton e fikur.
Në Qarkun Elbasan, zjarri në Librazhd Katund, i cili preku bimësi me pisha, është shuar.
Në Qarkun Gjirokastër, vatra në Bularat, Bashkia Dropull, është shuar pas angazhimit të strukturave vendore, policore dhe të Forcave të Armatosura. Në operacion u përfshinë 18 efektivë të MZSH me 3 mjete zjarrfikëse, 8 forca bashkiake, 10 forca policore, si dhe 27 efektivë të FA me 3 mjete dhe 1 ambulancë.
Në Qarkun Dibër, janë shuar vatrat në Lundre–Madhesh, Cerrujë/Mali i Allushit dhe Selishtë. Për operacionet janë angazhuar forca të MZSH-së, shërbimit pyjor, bashkive dhe vullnetarë.
Në Qarkun Fier, janë shuar vatrat në Bitaj, Bashkia Lushnje, dhe Rërës, Bashkia Patos.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.