“Washington Post”: 1,000 hapa më shumë në ditë ulin rrezikun për infarkt
– Të ecësh vetëm 1 mijë hapa më shumë në ditë mund të lidhet me një rrezik më të ulët për probleme të zemrës, veçanërisht te personat me tension të lartë të gjakut, sugjeron një studim i publikuar në “European Journal of Preventive Cardiology” dhe i raportuar nga “The Washington Post”.
Studimi përfshiu 36 192 persona me hipertension, të cilët mbanin pajisje për matjen e aktivitetit fizik.
Studiuesit i ndoqën për rreth 7,8 vjet, duke krahasuar numrin e hapave me shfaqjen e problemeve të ndryshme kardiovaskulare.
Rezultatet treguan se, për çdo 1,000 hapa shtesë në ditë, mbi nivelin bazë prej rreth 2 344 hapash, rreziku mesatar i problemeve të mëdha kardiovaskulare ishte rreth 17% më i ulët.
Në veçanti, 1,000 hapa shtesë në ditë u shoqëruan me:
* 22,4% rrezik më të ulët për insuficiencë kardiake;
* 24,5% rrezik më të ulët për goditje në tru;
* 9,3% rrezik më të ulët për infarkt të zemrës.
Një nga gjetjet e rëndësishme është se përfitimet nuk duket se fillojnë vetëm pasi një person arrin objektivin prej 10 mijë hapash në ditë.
Edhe njerëzit që nisnin nga një numër më i ulët hapash, kishin rrezik më të ulët kur shtonin aktivitetin e tyre.
Përfitimet fillonin të zbeheshin rreth nivelit 10 mijë hapa në ditë.
Sipas “Washington Post”, 1,000 hapa janë afërsisht gjysmë milje, ose rreth 8–10 minuta ecje, në varësi të ritmit të personit.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se bëhet fjalë për një studim vëzhgues.
Ai tregon një lidhje mes numrit të hapave dhe rrezikut kardiovaskular, por nuk provon se shtimi i 1,000 hapave shkakton drejtpërdrejt uljen e rrezikut.
Mesazhi kryesor i studimit është se aktiviteti fizik, nuk ka nevojë të arrijë patjetër 10 mijë hapa në ditë, për të qenë i dobishëm për shëndetin e zemrës. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.