BRUKSEL – BE zgjeron sanksionet kundër Rusisë
BRUKSEL, 17 gusht /ATSH-AFP/ – Bashkimi Evropian po përgatit paketën më gjithëpërfshirëse të sanksioneve ndaj Rusisë që prej fillimit të luftës në Ukrainë.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se në vjeshtë do të propozojë një listë të re masash që, nëse miratohen, do të rrisin me rreth një të tretën numrin e individëve dhe entiteteve ruse të sanksionuara.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, Kallas tha se presioni ndaj Moskës duhet të vazhdojë të rritet derisa Rusia t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Ajo nuk dha detaje të hollësishme mbi subjektet që do të përfshihen në listën e re apo mbi afatet e sakta të miratimit të masave.
Sipas Kallas, sanksionet e vendosura nga BE-ja që prej pushtimit rus në shkurt 2022 i kanë kushtuar Rusisë më shumë se 1 trilion euro dhe kanë goditur kapacitetet e saj ekonomike për mbështetjen e luftës.
BE-ja ka miratuar deri tani 21 paketa sanksionesh ndaj Rusisë.
Masat kanë prekur sektorë të ndryshëm, përfshirë energjinë, industrinë ushtarake, bankat, transportin detar dhe rrjetet e kriptomonedhave.
Paketa e fundit, e miratuar në korrik, përfshiu kufizime të reja ndaj sektorit bankar dhe rrjeteve të kriptomonedhave.
Komisioni Evropian thotë se aktualisht sanksionet e BE-së prekin rreth 3 mijë persona dhe entitete.
Një rritje me një të tretën do të përfaqësonte një zgjerim të rëndësishëm të listës dhe do të synonte të shtonte presionin ekonomik e politik mbi Moskën.
Kallas ka bërë thirrje gjithashtu për një koordinim më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, ndërsa BE-ja kërkon të forcojë masat kundër kompanive dhe rrjeteve që ndihmojnë Rusinë të anashkalojë sanksionet ekzistuese. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.