CNN: SHBA-ja zgjeron mbështetjen e inteligjencës për Arabinë Saudite kundër rebelëve “Houthi”
– SHBA-ja ka zgjeruar mbështetjen ushtarake dhe të inteligjencës për Arabinë Saudite, ndërsa përshkallëzohen luftimet me rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani në Jemen.
Mbi 100 ushtarakë amerikanë ndodhen në Arabinë Saudite për të ndihmuar me informacionet e inteligjencës dhe përcaktimin e objektivave ushtarake.
Një zyrtar amerikan e vlerësoi numrin në rreth 200 trupa.
Personeli amerikan është pjesë e një komande të përbashkët forcash, të krijuar javët e fundit për shkak të shqetësimeve se Irani po rrit mbështetjen për sulmet e rebelëve “Houthi” ndaj Arabisë Saudite.
SHBA-ja po i ofron Riadit mjete që mundësojnë monitorimin në kohë reale të situatës në fushëbetejë, si dhe të dhëna gjeografike për përcaktimin e objektivave.
SHBA-ja nuk po merr pjesë drejtpërdrejt në sulmet dhe nuk po furnizon avionët sauditë me karburant apo mbështetje të tjera operative, siç ka bërë në të kaluarën.
Përpjekja amerikane synon kryesisht të ndihmojë Arabinë Saudite që operacionet e saj ushtarake të zhvillohen, në mënyrë më të koordinuar dhe profesionale.
Pse është e rëndësishme?
Përshkallëzimi vjen pasi rebelët “Houthi” kanë avancuar në brigjet e Detit të Kuq dhe kanë marrë kontrollin e qytetit portual të Mokhas, duke iu afruar Ngushticës strategjike të Bab al-Mandabit, një nga rrugët kryesore detare që lidh Detin e Kuq me Oqeanin Indian.
Sipas zyrtarëve amerikanë, qindra pjesëtarë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ndodhen në Jemen dhe po bashkëpunojnë me rebelët Houthi.
SHBA-ja dyshon se synimi i tyre përfundimtar mund të jetë mbyllja e Ngushticës së Bab al-Mandabit, gjë që do të kërcënonte rëndë transportin ndërkombëtar të mallrave.
Situata shqetëson Uashingtonin edhe për një arsye tjetër, hapjen e një fronti të dytë lufte, ndërsa SHBA-ja është tashmë e përfshirë në konfliktin me Iranin.
Megjithatë, ushtria amerikane po tregohet e kujdesshme, që të mos përfshihet drejtpërdrejt në fushatën saudite, veçanërisht për shkak të kritikave dhe viktimave civile, të shkaktuara nga sulmet e mëparshme amerikano-saudite ndaj rebelëve Houthi. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.