🌤️
Tiranë 32°C · Kryesisht kthjellët 22 August 2026
S&P 500 7,674 ▲0.43%
DOW 53,277 ▲0.98%
NASDAQ 26,180 ▲0.43%
NAFTA 87.06 ▲0.26%
ARI 4,681 ▲2.39%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1682 EUR/GBP 0.8560 EUR/CHF 0.9356 EUR/ALL 92.5984 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3287 EUR/TRY 56.1317 EUR/JPY 185.67 EUR/CAD 1.6085 EUR/USD 1.1682 EUR/GBP 0.8560 EUR/CHF 0.9356 EUR/ALL 92.5984 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3287 EUR/TRY 56.1317 EUR/JPY 185.67 EUR/CAD 1.6085
₿ CRYPTO
BTC $76,985 ▼ -0.97% ETH $2,410 ▲ +0.33% XRP $1.4428 ▲ +1.85% SOL $93.1200 ▲ +1.49%
S&P 500 7,674 ▲0.43 % DOW 53,277 ▲0.98 % NASDAQ 26,180 ▲0.43 % NAFTA 87.06 ▲0.26 % ARI 4,681 ▲2.39 % S&P 500 7,674 ▲0.43 % DOW 53,277 ▲0.98 % NASDAQ 26,180 ▲0.43 % NAFTA 87.06 ▲0.26 % ARI 4,681 ▲2.39 %
EUR/USD 1.1682 EUR/GBP 0.8560 EUR/CHF 0.9356 EUR/ALL 92.5984 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3287 EUR/TRY 56.1317 EUR/JPY 185.67 EUR/CAD 1.6085 EUR/USD 1.1682 EUR/GBP 0.8560 EUR/CHF 0.9356 EUR/ALL 92.5984 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3287 EUR/TRY 56.1317 EUR/JPY 185.67 EUR/CAD 1.6085
22 Aug 2026
Breaking
Politika

Erdhën për të “shpëtuar” Sazanin, por refuzuan ta vizitojnë, Rama ironizon delegacionin e Global Sumud Flotilla në Vlo

Delegacioni i Global Sumud Flotilla ka mbërritur ditën e sotme në Portin e Vlorës, pasi kishin njoftuar në rrjetet sociale se do të ‘shpëtonin’ Sazanin.

Por me të mbërritur në port, ata janë pritur nga zv.ministrja e Kulturës e Turizmit, Marinela Prifti dhe drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj.

Në një postim në rrjetet sociale, Hysaj thotë se shkoi personalisht në port për t’i pritur dhe se delegacionit iu ofrua mundësia për të vizituar ishullin e Sazanit dhe për të marrë informacion zyrtar mbi të.

Sipas saj, anëtarët e delegacionit refuzuan vizitën në Sazan dhe nuk pranuan as të ndiqnin prezantimin informues të përgatitur për ta.

Hysaj shprehet se ata njoftuan më pas se do të shkonin në Tiranë për t’iu bashkuar “Revolucionit”. Sipas Hysajt, krahasimi që ata i bënin ishullit të Sazanit me situatën në Gaza është tejet i pavend.

Ajo thekson se kjo është e drejta e tyre, por argumenton se misioni duhet të quhet me “emrin e vet të vërtetë” dhe jo të fshihet pas mbrojtjes së Sazanit.

Për këtë situatë ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili teksa ka ndarë në rrjetet sociale videon e bërë nga Hysaj, ka komplimentuar Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe Ministrinë e Kulturës e Turizmit, për atë që ai e cilësoi si ‘pritë’ që iu bë të ashtuquajturve çlirimtarë të Sazanit.

Me ironi Rama ka shkruar në postimin e tij se “revolucionarët e rrenave çoroditën dynjanë me marrëzitë e tyre”.

Gjithësesi, një kompliment Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Ministrisë së Kulturës e Turizmit për ‘pritën’ e bukur që u bënë çlirimtarëve të Sazanit”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama që në nisje të protestave në Tiranë, ka pretenduar se ka pasur ndërhyrje nga elementë të huaj që duan të dëmtojnë turizmin në Shqipëri, por edhe nga elementë me lidhje të forta me Iranin.

Reagimi i Drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj:

Videoja bashkëngjitur është bërë qëllimisht në italisht dhe arsyeja vetëshpjegohet. Po ndërkohë po bashkëngjis edhe përkthimin shqip si më poshtë:

ERDHËN PËR TË “SHPËTUAR” SAZANIN. POR NUK SHKUAN AS NË SAZAN.

Unë jam Jola, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë.

Po kthehem nga Vlora, ku shkova personalisht në port për të pritur delegacionin e Global Sumud Flotilla, mbërritja e të cilit ishte njoftuar në Instagram me gjithë solemnitetin që i rezervohet një ekspedite të madhe ndërkombëtare të nisur për të shpëtuar Sazanin.

Por në port, epopeja digjitale, e përcjellë madje edhe nga ANSA, u materializua në një duzinë njerëzish dukshëm të çoroditur, që ngjanin më shumë me një grup të arratisur nga shtëpia sesa me pararojën e revolucionit planetar të paraqitur në rrjetet sociale.

Dhe përballë realitetit të Vlorës dukeshin shumë më pak rehat sesa në pamjet e kuruara me kujdes për Instagramin.

Megjithatë, u pritën me respekt dhe me gatishmëri të plotë institucionale, sepse Shqipëria është një shtëpi e hapur për të gjithë dhe respektuese ndaj të gjithëve.

U ofruam gjithashtu t’i shoqëronim për të vizituar Sazanin, ishullin për të cilin kishin dhënë tashmë një verdikt shumë të rëndë, duke arritur deri aty sa ta krahasonin me Gazën. Donim t’u jepnim të gjithë informacionin në dispozicion dhe t’u krijonim kushtet më të mira për të bërë lirisht çdo pyetje.

Nuk deshën.

Për habinë tonë, na thanë se kishin ndryshuar mendje dhe nuk shkuan në Sazan. Nuk deshën as të ndiqnin paraqitjen e informacionit të përgatitur për ta, por gjithsesi morën dokumentin informues që u vumë në dispozicion dhe njoftuan: “Po shkojmë t’i bashkohemi Revolucionit në Tiranë”.

Natyrisht, kjo është e drejta e tyre. Por atëherë le ta quajmë këtë mision me emrin e vet të vërtetë.

Nëse kalon detin duke deklaruar se dëshiron të shpëtosh një ishull dhe, pasi mbërrin, refuzon madje ta vizitosh atë, nuk ke ardhur për të njohur realitetit: ke ardhur për të vënë në skenë një përfundim të shkruar përpara se të niseshe.

Imazhet e publikuara para mbërritjes së tyre e shpjegojnë në mënyrë të përsosur skenarin. Në njërin prej tyre shihet një flamingo e mbështjellë me një kefije palestinez të shoqëruar me sloganin «ata thirrën, ne u përgjigjëm». Por kush do t’i kishte thirrur? Sazani është një ishull pa popullsi civile rezidente. Asnjë komunitet në ishull nuk ka nisur një thirrje, asnjë banor nuk rrezikon të dëbohet nga shtëpia e tij. Për më tepër, flamingot jetojnë në lagunën e Nartës, në tokë të fortë; në Sazan nuk është parë kurrë asnjë shpirt flamingoje.

Në imazhin tjetër lexojmë «nga Gaza në ishullin e Sazanit, toka jonë nuk është në shitje», me ftesën për të mbështetur një revolucion flamingosh të paidentifikuar më mirë. Ky krahasim nuk është guximtar: është grotesk, injorant dhe thellësisht fyes, para së gjithash ndaj vetë qytetarëve të Gazës.

Në Gazë, një popullsi e tërë ka jetuar për vite me radhë ferrin e Hamasit dhe më pas atë të luftës, vdekjes, urisë, shkatërrimit dhe zhvendosjes. Në Sazan nuk ka asnjë luftë, asnjë familje nuk është nën bomba, asnjë fëmijë nuk ikën nga rrënojat, asnjë shtëpi nuk është shkatërruar dhe asnjë flamingo nuk po pret të lirohet nga një mision ndërkombëtar me helmeta të kuqe, të gjelbra apo të çfarëdo ngjyre tjetër.

Të vendosësh në të njëjtin nivel tragjedinë e madhe njerëzore të Gazës dhe një diskutim që ende duhet të zhvillohet plotësisht mbi të ardhmen e mundshme të një ishulli shqiptar të pabanuar nuk do të thotë të tregosh solidaritet me Palestinën. Kjo do të thotë të përdorësh dhimbjen e palestinezëve si një skenografi emocionale për një fushatë në Instagram, jo vetëm kundër zhvillimit, por edhe kundër mirësjelljes.

Ata e përdorën dhimbjen e Gazës pa asnjë respekt, dhe imazhi i Sazanit nuk përmban asnjë të vërtetë.

Dokumenti që u dorëzuam u sqaron fakte shumë të thjeshta:

Nuk ekziston asnjë marrëveshje me palën private dhe nuk ekziston ende asnjë projekt arkitekturor i përcaktuar apo i prezantuar.

Nuk është shitur asnjë metër katror i ishullit. Sazani nuk ka qenë kurrë në shitje, nuk është sot dhe nuk do të jetë as nesër.

Vetëm nëse fillimisht arrihet një marrëveshje për të vazhduar dhe nëse më pas miratohet një projekt turistik, subjekti privat do të mund të marrë pjesë në iniciativë, por nuk do ta blejë Sazanin.

Ai do të mund të operojë ekskluzivisht përmes një “joint venture” në të cilën shteti shqiptar do të jetë partner. Pronësia e Sazanit do të mbetet publike dhe shteti do të marrë pjesë drejtpërdrejt në zhvillimin, kontrollin dhe përfitimet e gjeneruara.

Sazani shtrihet në 562 hektarë; perimetri i një ndërhyrjeje të mundshme që mund të vlerësohet ka të bëjë me 45 hektarë (pak më shumë se 8% e ishullit), ndërsa intensiteti maksimal i zhvillimit nuk mund të kalojë 0.20% të sipërfaqes së përgjithshme.

Monumentet natyrore, falesat (shkëmbinjtë buzë detit), zonat më të ndjeshme, parku kombëtar detar dhe sipërfaqja detare e mbrojtur janë të përjashtuara nga çdo ndërhyrje. Aksesi publik do të duhet të garantohet dhe çdo ndërhyrje e mundshme do t’u nënshtrohet kushteve mjedisore rigoroze dhe të verifikueshme.

Nëse do të kishin pranuar të shkonin në Sazan, do të kishin parë që ishulli nuk është nën rrethim. Nëse do të kishin pranuar të dëgjonin, do të kishin marrë vesh se nuk ekziston asnjë marrëveshje. Nëse do t’i preferonin faktet para sloganeve, do të kishin zbuluar se Sazani është i shëndoshë e i sigurt. Por pse të lejojnë që realiteti t’u prishë një karusel të bukur në Instagram?

Mirëseerdhët gjithsesi në Shqipëri. Këtu kushdo është i lirë të protestojë, të kritikojë dhe madje edhe të tregojë absurditete. Rrugëtim të mbarë drejt Tiranës dhe kalofshi bukur me revolucionin tuaj imagjinar. Kur të duan më në fund të shohin Sazanin dhe të njohin faktet, dera jonë do të mbetet e hapur. Ndërkohë, Sazani mbetet aty ku ka qenë gjithmonë: shqiptar, publik, i shëndoshë e i sigurt. Nuk është në shitje, dhe nuk ka qenë kurrë.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.