Flamuj të UÇK-së dhe shpresë për lirim, çfarë presin qytetarët në vendlindjet e ish-krerëve një ditë para vendimit në Hagë?
Një ditë para shpalljes së aktgjykimit në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atmosfera e pritjes ndihet edhe në vendlindjet dhe vendbanimet e tyre.
Nga Bairi i Mitrovicës, në Burojë dhe Açarevë të Skenderajt, e deri në Negroc të Drenasit, flamuj të UÇK-së janë vendosur në shtëpi dhe hapësira të ndryshme, ndërsa qytetarët po presin me vëmendje zhvillimet nga Haga.
Këto katër vende lidhen me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara – Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Në prag të aktgjykimit, kamera e Telegrafit ka qëndruar në këto lokacione për të sjellë atmosferën dhe pritjet e qytetarëve.
Flamujt, fotografitë dhe mesazhet e mbështetjes janë pjesë e pamjeve një ditë para vendimit.
Qytetarët me të cilët ka biseduar Telegrafi shprehen optimistë dhe thonë se presin pafajësinë dhe lirimin e katër ish-krerëve të UÇK-së.
Avdi Voca nga Mitrovica thotë se çdo vendim tjetër, përveç lirimit, do të ishte i padrejtë.
“Presim lirimin e katërtëshes, prijësve të UÇK-së. Çdo vendim tjetër do të ishte i padrejtë, do të ishte e paparamendueshme për mua personalisht. S’di tjetër çka me thënë”, ka deklaruar Voca për Telegrafin.
Të njëjtën pritje e shpreh edhe banori i fshatit Açarevë të Skenderajt, Musli Haxha.
“Na presim pafajësinë e tyre, lirimin e tyre, që ata janë të pafajshëm dhe nuk kanë qenë asnjëherë të fajshëm. Të fajshëm dihet kush ka qenë, ata nuk kanë qenë asnjëherë. Shpresojmë shumë që nesër do të jenë të lirë”, ka thënë ai.
Edhe në Burojë, vendlindjen e Hashim Thaçit, pritjet janë të mëdha. Banori i këtij fshati, Rexhë Thaçi shprehet optimist për vendimin që pritet të shpallet.
“Na presim edhe jemi optimistë që nesër do të na lirohen krerët e UÇK-së. Se janë mbajtë që gjashtë vite pa kurrfarë… ata s’kanë bo sen. Presim lirimin e tyre sa më shpejt nesër… Kismet prej Zotit do të vijnë ata”, ka thënë Thaçi.
Ndërkaq, Skënder Krasniqi, banor i fshatit Negroc të Drenasit, thotë se fshati pret lirimin e tyre.
“Na presim lirim sa më shpejt prej tyre dhe janë 100 për qind të pafajshëm. Lufta e Kosovës është e pastër dhe nesër dëshmohet gjithçka dhe fshati Negroc ju pret me gjithë zemër”, është shprehur ai. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.